Reagon profesori i njohur: Ja pse ishte i mangët aksioni i policisë kosovare dhe asaj gjermane

  • 23 June 2019 - 16:09
Reagon profesori i njohur: Ja pse ishte i mangët aksioni i policisë kosovare dhe asaj gjermane

“Aksionet e policisë do të duhej të kryheshin sipas planit paraprakisht të projektuar sinkronizueshëm, energjikisht pa përjashtime të cilat do të duhej pos sekuestrimeve dhe nismave të persekutimeve penale, t'i saktësonin pronarët , sponsorët, bashkëpunëtoret e qendrave të tilla e të ngjashme”, tha Riza Smaka për “Kosova Sot Online”.

Image
Riza Smaka

Duke folur rreth aksionit që ditë më parë e ndërmori Prokuroria Speciale e Kosovës në koordinim me policinë e Gjermanisë në disa qendra të quajtura “Call Center" në të cilat dyshohet se po behet pastrim parash, profesori i së drejtës, Riza Smaka, ka thënë se këto aksione duhet të jenë më të shpeshta, gjithëpërfshirëse dhe të mos mbeten vetëm storie improvizimi sa për të thënë se u bë dhe u vepruar kundër një fenomeni negativ.

“Është për tu mbështetur aksioni i policisë sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale për bastisje të disa qendrave "Coll Center" por duhet fillimisht të theksohet se si i tillë është i mangët, përderisa nuk zhvillohet aksion gjithëpërfshirës në të gjitha qendrat në fjalë, duke i përfshirë edhe lokalet në të cilat ushtrohet "masazhimi" në të cilat ka kohë që publikisht flitet se masazhimi është farsë e mbulimit të prostitucioneve të organizuara të dëmshme nga ana shëndetësore dhe moralisht, e mbi të gjitha në kundërshtim me ligjin në fuqi”, tha Smaka për “Kosova Sot Online”.

Profesor Smaka mendon se aksionet e tilla duhet të planifikohen më me shumë kujdes, të hartohen plane të detajuara veprimi dhe të ketë koordinim të gjerë ndërveprues të organeve në mënyrë që rezultatet të jenë të plota.

“Aksionet e policisë do të duhej të kryheshin sipas planit paraprakisht të projektuar sinkronizueshëm, energjikisht pa përjashtime të cilat do të duhej pos sekuestrimeve dhe nismave të persekutimeve penale, t'i saktësonin pronarët, sponsorët, bashkëpunëtoret e qendrave të tilla e të ngjashme. Aq më parë kur, dihet publikisht se, në kuadrin e korrupsionit, ndër tjera, hyjnë prostitucioni, shpëlarja e parasë se pistë, pasurimi i kundërligjshëm, ekonomia informale, inkasimet ilegale për favorizimet me tenderë, kompeticioni jo lojal, monopoli në treg si dhe shumë forma tjera të dëmshme për shoqërinë dhe shtetin”, deklaroi eksperti i së drejtës, profesor Riza Smaka.

Sipas profesor Smakës, barra e organizimit dhe veprimit kundër rrjeteve të tilla, duke zgjeruar rrjetin e hetimit edhe në institucione të tjera edhe brenda për brenda institucioneve të sundimit të ligjit, i takon gjithmonë Prokurorisë Speciale të Kosovës, e që nuk po tregohet aspak aktive dhe efektive.

“Prokuroria Speciale, medoemos, do të duhej të argumentonte qëndrimin konsekuent e konsistent të shpalljes së luftës serioze te pa përjashtime në të gjitha segmentet e jetës shoqërore e në radhë të parë në ekzekutiv e administratën publike si dhe përbrenda sistemit gjyqësor të vendit”, përfundoi Smaka për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)