Auditori “shuplakë” keqqeverisjes së Shpend Ahmetit

  • 24 June 2019 - 07:29
Auditori “shuplakë” keqqeverisjes së Shpend Ahmetit

Konstatimi i auditorit të përgjithshëm se vitin që e lamë u shpenzuan vetëm 71% e buxhetit në total dhe vetëm 43% e investimeve kapitale flet se, paralajmërimet dhe konstatimet tona gjatë tërë vitit buxhetor për dështimet në fusha të ndryshme ishin të sakta”, tha asamblisti Agim Gashi nga LDK-ja për “Kosova Sot Online”.

Komuna e Prishtinës po vazhdon edhe në këtë mandat të tregohet krejtësisht e pa aftë për ta menaxhuar dhe shpenzuar buxhetin e vetë. Shpend Ahmeti ka dështuar në infrastrukturë zhvillimore të komunës dhe në shumicën e projekteve të cilat përmirësojnë jetën dhe standardin e qytetarëve.

Image

Sipas raportit më të ri të auditimit, që bënë fjalë për buxhetin e vitit të kaluar 2018, bëhet e ditur se kjo Komunë ka realizuar vetëm 43 për qind të mjeteve për investime kapitale.

Këtë ngecje serioze në projekte dhe shpenzim buxheti, përfaqësuesit e opozitës në asamblenë komunale të Prishtinës e cilësojnë dështim të plotë të qeverisjes së Ahmetit, ngase është e pa kuptueshme dhe e pa arsyeshme që të teprojnë 23 milionë euro, e në anën tjetër kryeqyteti ka degraduar pothuajse në çdo sferë.

Asamblisti nga radhët e LDK-së në asamblenë komunale të Prishtinës, Agim Gashi, tha për “Kosova Sot Online” se qysh në fillim të fillim të vitit buxhetor 2019 grupi i asamblistave të LDK-së, ka alarmuar se qeveria Ahmeti dhe vet kryetari po e fundosin qeverisjen racionale dhe të mundshme në komunën e Prishtinës, alarm ky që sipas Gashit, vetëm sa është injoruar nga pozita e cila është krejtësisht e pa ditur dhe injorante.

“Gjithë zhurma politike gjashtëvjeçare, gjithë politika folklorike dhe euforike ka nxitur ndjenjën egoiste politike dhe rreth kryetarit është krijuar klani i të paditurve dhe i servilëve politik të cilët gjithçka mund të punojnë, por ta qeverisin kryeqytetin mire, jo. Përpjekjet tona opozitare kishin për qëllim relativizimin e keq qeverisjes sepse shpresuam se ata njerëz do të mundë ta kuptojnë ndonjëherë se janë duke dështuar në të gjitha fushat qeverisëse. Konstatimi i auditorit të përgjithshëm se vitin që e lamë u shpenzuan vetëm 71% e buxhetit në total dhe vetëm 43% e investimeve kapitale flet se, paralajmërimet dhe konstatimet tona gjatë tërë vitit buxhetor për dështimet në fusha të ndryshme ishin të sakta”, tha Gashi për “Kosova Sot Online”.

Asamblisti Gashi thotë se fushat më të goditura janë infrastruktura shkollore dhe ajo e kolektorëve-kanalizimeve.

“Trajtimi i mbeturinave dhe mbrojtja e hapësirave gjelbëruese (po kultivohen fidanë të cilësisë së dobët), fusha e prokurimit dhe investimeve jocilësore - asnjë operator nuk është penalizuar për mospërmbushjen e kontratave, ( konstatim i auditorit), fusha e planifikimit – shumica e punëve u planifikuan keq dhe u pamundësua realizimi i tyre, u shkelën procedurat në politikat kadrovike – po vazhdon të keq menaxhohet politika e punësimeve në arsim dhe përzgjedhja e stafit udhëheqës në institucionet e arsimit, po inkasohen të hyra në mënyrë joligjore nga operatorët dhe shfrytëzuesit e hapësirave publike sepse atyre u ka skaduar kontrata e shfrytëzimit, s’kanë fare kontratë, po vazhdon të rriten pagesat sipas vendimeve gjyqësore dhe drejtpërsëdrejti nga thesari si rezultat i veprimit të përmbaruesve dhe shumë e shumë lëshime tjera të cilat po e dëmtojnë interesin publik”

Sipas Gashit kulmi i jo seriozitetit dhe mos funksionimit të niveleve të qeverisjes në komunën e Prishtinës është kur shërbimet financiare lejojnë pagesa të vlerave të mëdha duke i bartur ato nga një kod i planifikuar në një kod tjetër pa u bërë rishikimi i buxhetit dhe pa u miratuar vendimi në kuvend.

“Pra kjo qeveri po vazhdon të injorojë rrolin ligjor dhe kushtetues që ka Kuvendi në nivel të qeverisjes lokale”, përfundoi Gashi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)