"Takime sekrete”, vjen alarmi i rëndë për Kosovën

  • 24 June 2019 - 07:38

“Organizimi i takimeve sekrete, është një paralajmërim i keq, se çdo gjë për Kosovën është duke u vendosur në prapaskenë, dhe se rreziku i ndarjes së Kosovës sa vjen e shtohet për shkak se marrëveshja për Asociacionin e komunave serbe me kompetenca ekzekutive brenda Kosovës është punë e kryer”, tha analisti politik Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Analisti politik, Florim Zeqa duke parë qasjen jo profesionale dhe krejtësisht të çakorduar të politikës kosovare që kishte deri më tani në procesin e bisedimeve me Serbinë, e ku së fundi edhe u anulua Samiti i paraparë të mbahet me 1 korrik në Paris, thotë se pozita ndërkombëtare e Kosovës vazhdimisht është dëmtuar deri në skajshmëri.

Image

“Fillimisht duhet sqaruar se pozita e Kosovës në arenën ndërkombëtare është dëmtuar skajshmërisht pas fillimit të fazës finale të dialogut Kosovë-Serbi, nga i cili statusi i Kosovës është kthyer në tavolinën e bisedimeve. Për më tepër se kaq, pozita e Kosovës në arenën ndërkombëtare është dëmtuar shumë edhe nga mungesa e një diplomacie të mirëfilltë shtetërore për ngritjen e imazhit të Kosovës në botë. Në fakt rrëshqitja drastike e shtetit të Kosovës në dialogun e Brukselit fillon më rastin e nënshkrimit të marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave serbe me kompetenca ekzekutive në veri të vendit”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Prandaj, sipas Zeqë, shtyrja e Samitit të Parisit nuk është një e "mirë" siç e proklamon kryeministri Haradinaj, kinse "tani në tavolinë ka mbetur vetëm një temë e që është njohja reciproke", por është fakti se Serbia nuk dëshiron të negociojë tutje me Kosovën për pjesën veriore, e aq më pak të njoh Kosovën si shtet sovran.

“Kurse taksen është duke e përdorur vetëm si alibi për mos ulje në tavolinën e bisedimeve me palën kosovare, por nuk po dihet ana tjetër e medaljes se çka po bisedohet në takimet e fshehta t ë cilat tani pi o zhvillon edhe qeveria me emisarët e vetë. Akoma më shqetësues është fakti i organizimeve të fshehta të zyrtarëve shtetëror të Kosovës me përfaqësuesit e Serbisë, siç ishte rasti i takimit sekret në Berlin në mes të ish këshilltarit të Haradinajt dhe Marko Gjuriqit. Siç po duket, pas Thaçit, tani ka filluar edhe qeveria Haradinaj të zhvillojë takime sekrete me zyrtarët serb. Organizimi i takimeve sekrete, është një paralajmërim i keq, se çdo gjë për Kosovën është duke u vendosur në prapaskenë, dhe se rreziku i ndarjes së Kosovës sa vjen e shtohet për shkak se marrëveshja për Asociacionin e komunave serbe me kompetenca ekzekutive brenda Kosovës është punë e kryer. Ajo është marrëveshje obligative ndërkombëtare pas nënshkrimit të dy kryeministrave kosovar, Hashim Thaçit me 19 Prill 2013 dhe Isa Mustafës me 25 Gusht 2015, me bekimin edhe të deputetëve të Kuvendit, që i dhanë dritën jeshile marrëveshjes për asociacionin”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Edhe pse tani kemi ndërprerje të bisedimeve, Zeqa nuk e përjashton rrezikun e finalizimit të skenarit të ndarjes përfundimtare kurdo që rifillojnë ato.

“Kosova po shkon pashmangshëm drejt ndarjes finale me bekimin e dy "Esat Pash Toptanëve", Hashim Thaçit e Isa Mustafës. Ramush Haradinaj pas faljes së 8200 hektarëve Malit të Zi, me taksen famoze, e ka përshpejtuar ndarjen fatale të Kosovës”, përfundoi analisti Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)