Situata drejt destabilizimit, ja fajtori për dështimin e shtetit në Veri

  • 24 June 2019 - 13:52
Situata drejt destabilizimit, ja fajtori për dështimin e shtetit në Veri

”Fajin më ta madh për këtë e ka propozimi i presidentit Thaçi për korrigjim të kufirit i cili në të vërtetë është kuptuar edhe nga serbët atje se është propozim për shkëmbim të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Abdullahu për “Kosova Sot Online”.

Analisti politik, Faton Abdullahu, duke vlerësuar paralajmërimet e kryeministrit Haradinaj për rrezikun e acarimit të situatës në veri të Kosovës dhe zhvillimet e fundit politike në atë pjesë të Kosovës, konsideron se gjasat për të pasur trazira dhe destabilizim akoma më të thellë të kësaj pjese të territorit të Kosovës janë shumë reale, pasi veriu akoma mbetet i pa kontrolluar sa duhet nga autoritetet qendrore në Prishtinë, e nën ndikimin e strukturave kriminale serbe.

Sipas Abdullahut, përgjegjësia pse ky territor i Kosovës kaq gjatë mbetet jashtë kontrollit të plotë të autoriteteve qendrore të Kosovës, është tek politika jonë qeveritare. 

Image
Faton Abdullahu

“Ka kohë që institucionet e Kosovë i qasen veriut të vendit thua se kjo pjesë nuk është e jona. Për shkak se është kështu mandej shtrohen si të pashmangshme intervenime të natyrës çfarë ishte ajo e fundit me polici. Kohë të gjatë kjo pjesë e Kosovës ka mbetur pa kryetar komunash. Sikur të mos ishte Ambasada Amerikane në Prishtinë për të intervenuar, ende do të mbetej e bllokuar KQZ-ja, dhe ende nuk do t’i kishim zgjedhjet në veri, rrjedhimisht kryetarët e komunave atje. E keqja më e madhe është se duke mos qenë unike institucionet tona kanë ngjallur atje, te pjesëtarët e një pjese jo të vogël të komunitetit serb idenë të kthyer tashmë në bindje se ajo pjesë do ti bashkëngjitet Serbisë”, tha analisti Abdullahu për “Kosova Sot Online”. 

Madje sipas tij, një kontribut të madh, për së mbrapshti për të mos u integruar kjo pjesë e territorit dhe institucioneve lokale nën autoritetin qendror të Kosovës, e ka dhënë edhe presidenti Hashim Thaçi, sidomos prej se ka marr përsipër që të jetë në krye të dialogut me Serbinë me idenë e ndryshimit të kufijve.

“Fajin më ta madh për këtë e ka propozimi i presidentit Thaçi për korrigjim të kufirit i cili në të vërtetë është kuptuar edhe nga serbët atje se është propozim për shkëmbim të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, theksoi analisti Abdullahu për “Kosova Sot Online”.

“Me krejt atë që sot institucionet tona po bëjnë apo thënë më saktë nuk po bëjnë në veri, po i kontribuojnë të gjithë asaj që po pretendojnë se po e kundërshtojnë, propozimit për korrigjim të kufirit, që nënkupton shkëmbim territoresh. Gjasat që këto procese negative të ndalen me këtë koalicion dhe këtë qeveri janë inekzistente”, përfundoi analisti politik, Faton Abdullahu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)