Pasi i çoi ftesë Thaçit, Milorad Dodik kapet me Haradinajn

  • 24 June 2019 - 15:38
Pasi i çoi ftesë Thaçit, Milorad Dodik kapet me Haradinajn

Kryesuesi i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik i ka kthyer përgjigje kryeministrit Ramush Haradinaj, rreth deklaratës se kufijtë ndryshohen vetëm duke i veshur “çizmet ushtarake”.

Në intervistën për ‘Sputnik’, Dodik tha se çizmet ushtarake mund ‘t’ia veshë një maceje, duke theksuar se nuk duhet të luhet me forcën dhe vendosmërinë e serbëve.

“Populli serb është popull tolerant, por nuk është i gatshëm ta humbasë dinjitetin e tij”, ka thënë Dodik.

Dodik i dha porosi popullit serb të bashkohen rreth idesë së korrigjimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë, ide që sipas tij duhet udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq, edhe pse, siç tha ai, Vuçiq po ndjen vështirësi në këtë proces. 

Ai ka shtuar se Serbia ka përkrahjen e ‘Republika Srpska’ sa i takon idesë së korrigjimit të kufijve, transmeton Shqip.

Për mundësinë që çështja e Kosovës të shkojë përsëri në OKB, ai tha se deri më tani askush nuk e ka hequr Rezolutën 1244, dhe se duhet të respektohet nga të gjitha rezolutat e OKB-së.

Dje, Milorad Dodik, i ka çuar ftesë zyrtare presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

(Kosova Sot Online)