Indonezia goditet nga tërmeti i fuqishëm prej 7.3 shkallësh

  • 24 June 2019 - 17:37
Indonezia goditet nga tërmeti i fuqishëm prej 7.3 shkallësh

Një termet i fuqishëm prej 7.3 shkallësh të Rihterit është regjistruar në ishujt Tanimbar, të cilët ndodhen në Detin Banda të Indonezisë. Raportohet se dridhjet janë ndier edhe në pjesën veriore të Australisë.

Sipas Institutit Amerikan për Gjeologji, origjina e këtij tërmeti ishte 208 kilometra në thellësi të tokës. Kjo është një thellësi mesatare, që do të thotë se tërmeti ka më pak gjasa të shkaktojë dridhje të fuqishme në sipërfaqe të tokës në krahasim me tërmetet që burimin e kanë në thellësi me të vogla.

Sidoqoftë, banorët e qytetit australian të Darvinit, i cili shtrihet rreth 720 kilometra larg vendit ku ndodhi tërmeti, thanë se i kanë ndier dridhjet për shkak të aktivitetit sizmik të tokës.

Mediat në këtë qytet kanë njoftuar se janë ndier dridhje që kanë zgjatur disa minuta. Raportohet se banorët janë evakuuar nga ndërtesat për shkak të rrezikut të shembjes së tyre si pasojë e dridhjeve.

Megjithatë, Byroja e Meteorologjisë në Australi tha se vendi nuk rrezikohet nga ndonjë cunami dhe tash për tash nuk është ngritur ndonjë alarm për një gjë të tillë.

Ky tërmet ishte pjesë e disa dridhjeve që u regjistruan të hënënë në pjesë të ndryshme të Indonezisë. Së paku nëntë tërmete më të dobëta janë regjistruar në ishullin indonezian të Papuas.

Tërmetet në këtë pjesë të botës janë të shpeshta, për të mos thënë dukuri të përditshme. Indonezia shtrihet në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrtë”, ku aktiviteti sizmik i Tokës është shumë i lartë, shkruan “CNN”.

(Kosova Sot Online)