Hoti: LDK-ja do ta votojë Ligjin për Sponsorizim

  • 25 June 2019 - 15:33
Hoti: LDK-ja do ta votojë Ligjin për Sponsorizim

Draft-Ligji për Tatimin e të Ardhurave në Korporata, që konsiderohet si shpëtim për sportin, pritet të kalojë në seancën e ardhshme të Parlamentit të Republikës së Kosovës.

Për këtë ka siguruar shefi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Abdullah Hoti.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka konfirmuar se LDK-ja e mbështet këtë ligj, i cili do ta kompletonte Ligjin për Sponsorizim në sport, i cili nuk kaloi javën e kaluar në Parlament në mungesë kuorumi.

Sipas tij, LDK-ja ka punuar gjithmonë në avancimin dhe mbështetjen e sportit.

“Qeveria e udhëhequr nga LDK-ja e ka rritur katërfish përqindjen e sponsorizimit për sport. Draft-ligji për të ardhurat e korporatave, që është në shqyrtim në Kuvend, mbështetet nga Grupi Parlamentar i LDK-së. Ky draft-ligj është përgatitur nga Grupi Punues i kryesuar nga deputeti i LDK-së dhe ka kaluar në Komisionin për Buxhet e Financa, që gjithashtu kryesohet nga deputeti i LDK-së.

Çdo deklarim se LDK-ja është kundër këtij ligji, që mundëson sponsorizim të sportit, është i pavërtetë dhe tendencioz”, ka shkruar Hoti në Facebook.

(Kosova Sot Online)