Majlinda Bregu e nxit Thaçin ti përgjigjet ftesës së Milorad Dodikut

  • 25 June 2019 - 18:31
Majlinda Bregu e nxit Thaçin ti përgjigjet ftesës së Milorad Dodikut

Majlinda Bregu, e cila është edhe sekretare gjenerale e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, ka thënë se pjesëmarrja e Thaçit në Samitin e 1 korrikut në Bosnje e Hercegovinë me ftesë të Millorad Dodikut, është ajo që pikërisht i duhet bashkëpunimit rajonal në mes të vendeve të Ballkanit.

Ajo thotë se pavarësisht ndarjeve të thella që janë në rajon, duhet të mbizotërojë ideja se “ne jemi më të fortë së bashku dhe se të ndarë dështojmë”, shkruan N1.

Sipas saj pjesëmarrja e Thaçit në Sarajevë në Samitin e 1 korrikut, do të thoshte shumë për bashkëpunimin ndërmjet shteteve të Ballkanit.

“Kjo do të thotë shumë për bashkëpunimin rajonal. Që Bosnja si kryesuese e SEECP, ruan në vazhdimësi gjithë përfshirjen në këtë proces, duke ftuar zyrtarë të lartë nga Kosova që të marrin pjesë në Samitin e ardhshëm”, është shprehur Bregu.

Ajo ka thënë se kjo nuk është vetëm një mundësi e mirë që do të bënte politikanët së bashku, por edhe për të shqyrtuar mundësitë për bashkëpunim më të ngushtë dhe të fortë ndërmjet vete, pasi sipas Bregut për një gjë të tillë kanë nevojë dhe presin qytetarët.

Më herët Thaçi nuk kishte pranuar që të merrte pjesë në në konferencën vjetore të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) që ishte mbajtur në Sarajevë.

Në arsyetimin e tij, presidenti kishte thënë se shkak për mospjesëmarrjen e tij në atë konference janë raportet jashtëzakonisht të këqija fqinjësore Kosovë-Bosnje.

“Përkundër vullnetit politik dhe gatishmërisë sonë shtetërore që të kemi marrëdhënie të mira fqinjësore me Bosnje Hercegovinën dhe njohje reciproke, fatkeqësisht deri më sot ky vullnet jo vetëm që nuk është pranuar, por shpeshherë edhe është keqpërdorur”, potencohej në njoftim.

Ai kishte përmendur edhe faktin që Bosnja vazhdon të mos e njohë Kosovën dhe se mban ende regjim të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Është paradoksale një situatë e tillë, ku përkundër luftës së përgjakshme që ka ndodhur dhe pavarësisht që ende nuk kemi një marrëveshje për normalizim, lëvizja e lirë pa pasaporta dhe pa viza funksionon ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, derisa në anën tjetër Bosnje Hercegovina vazhdon t’i diskriminojë qytetarët e Kosovës me regjim të vizave.”, kishte shtuar komuinkata.

Për Thaçin një sjelle e tillë e Bosnjës është e pa kuptueshme dhe më e vrazhdë se e Serbisë.

“Ne nuk mund të kuptojmë sesi Bosnje Hercegovina aplikon dhe sillet në këtë mënyrë tërësisht antievropiane dhe më të vrazhdë se vetë Serbia. Kosova mbetet e përkushtuar për fqinjësi të mirë, bashkëpunim rajonal dhe të ardhme euroatlantike, mirëpo nuk pranon të nënshtrohet dhe të diskriminohet nga askush”, thuhej ndër të tjera në komunikatën e presidencës.

Derisa sot nuk ka ndonjë deklarim nga zyra e Thaçit, se a do të marrë pjesë në Samitin e 1 korrikut në Bosnje me ftesë të Millorad Dodikut, të cilin e kishte injoruar gjatë Samitit të Berlinit duke mos ia dhënë as dorën.

(Kosova Sot Online)