Haradinaj: Kosova po bëhet lider në rajon në respektimin e të drejtave të komuniteteve

  • 25 June 2019 - 20:58
Haradinaj: Kosova po bëhet lider në rajon në respektimin e të drejtave të komuniteteve

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në shënimin e Javës Egjiptiane, e cila u mbajt në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë.

Në fjalën e tij, kryeministri Haradinaj fillimisht tha se është rritur në një familje ku janë respektuar të tjerët, në veçanti komunitetet, dhe i vjen mirë që Kosova po bëhet lider në rajon në respektimin e të drejtave të komuniteteve.

Fillimisht, kryeministri Haradinaj ka falënderuar deputetin e Kuvendit të Kosovës, Veton Berisha, për kujdesin e tij në shërbim të këtij komuniteti që ka bërë që edhe ai të kuptoi nga afër specifikat dhe kërkesat e tyre, duke thënë se tani së bashku janë fitues sepse mund të festohet vendimi i Qeverisë i 24 Qershorit, si Dita e Egjiptianëve të Ballkanit dhe të Kosovës.

“Jemi bashkuar sot për të shënuar Javën Egjiptiane të Kosovës dhe suksesi më i mirë është 24 qershori, Dita Memoriale e Egjiptianëve”, tha kryeministri Haradinaj dhe shtoi se janë të vetëdijshëm që ka ende punë për të bërë, si pjesëmarrja në institucione, në ushtri, në polici, punësim, banim, shkollim e shumë tema tjera.

Më tej kryeministri Haradinaj tha se nisjen e kanë pasur të ngadalshme, por që gradualisht janë duke ecur përpara.

Kryeministri Haradinaj, të gjithë ata që ishin prezent i ka uruar në emër të Qeverisë dhe të institucioneve të Kosovës për ditën dhe javën e egjiptianëve, duke shtuar se Kosova është shtëpia e përbashkët dhe do ta duan së bashku.

Nga një fjalë rasti në këtë manifestim mbajtën edhe ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Adriana Hoxhiq, kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Veton Berisha, zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Artan Berisha.

(Kosova Sot Online)