Deklarata e Thaçit dhe Veselit për vrasje: Albin Kurti po ia numëron muajt Prokurorisë

  • 25 June 2019 - 21:30
Deklarata e Thaçit dhe Veselit për vrasje: Albin Kurti po ia numëron muajt Prokurorisë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kujtuar se para dy muajve, bashkë me shefin e Grupit Parlamentar të VV’së, Glauk Konjufcën, kanë dorëzuar kallëzim penal kundër Presidentit Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli, të cilët në gjykatë kishin deklaruar se kanë dëgjuar se ‘Albini e Glauku kanë dhënë urdhër që t’i vrasin’.

Në gjykimin për organizatën “Syri i Populli”, presidenti e kryeparlamentari kishin dëshmuar në gjykatë duke e lidhur këtë organizatë me krerët e VV’së.

Sipas deklaratës së Thaçit, ai kishte dëgjuar se Konjufca e Kurti kishin dhënë urdhër për vrasjen e krerëve të shtetit.

Kurti thotë se edhe dy muaj pasi kanë dorëzuar kallëzimin penal, askush nga Prokuroria nuk i ka ftuar.

Ai tutje ka shkruar në Facebook se prokurorët janë moskokëqarës dhe ‘po paguhen vetëm për t’i bërë fresk kriminelëve’.

Shkrimi i plotë i Kurtit:

Prokurorë me flladitëse

Askush nuk na thirri as sot, nga prokuroria e shtetit. U mbushën dy muaj që me Glaukun patëm dorëzuar kallëzimin penal. Presidenti i Kosovës dhe Kryetari i Kuvendit kanë gënjyer e shpifur nën betim. Në procesin gjyqësor kundër kinse pjesëtarëve të organizatës së ashtuquajtur “Syri i Popullit”, më 28 dhjetor 2018, kanë thënë një mal me të pavërteta. Prej asaj se dora ime dhe e Glaukut i paska shkruar komunikatat e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, te veshi i Presidentit që paska dëgjuar urdhër për vrasje nga ne, e deri te njëfarë krahu i armatosur i VETËVENDOSJE!-s.

Gjuha është prej tulit e letra duron gjithçka, por kur krerët e institucioneve gënjejnë në gjykatë porsa japin betimin se do flasin të vërtetën, kjo sigurisht se do të duhej t’ishte detyrë fort interesante për prokurorët. Ama jo edhe për këta tanët, meqë asnjëri, ama bash asnjëri, ende nuk na thirri, asnjërin prej neve dyve, as në ditën kur filloi muaji i tretë i moskokëçarjes së tyre. Thua se këta prokurorë populli ynë i varfër po i paguan veçse për t’u bërë fresk kriminelëve?!


(Kosova Sot Online)