Përleshjet fizike, vjen paralajmërimi i rëndë për LDK-së

  • 26 June 2019 - 07:37
Përleshjet fizike, vjen paralajmërimi i rëndë për LDK-së

“Kur jemi te lufta për përfitime nga politika, edhe në LDK mundë të ndodhë gjithçka, pra edhe ndonjë kuvend qendror i grushteve dhe përçarjeve, kështu që edhe ndarja e këtij subjekti mund të ndodhë lehtë në këto kushte si po zhvillohen këto kuvendet e degëve të LDK-së me shumë probleme e ballafaqime fizike”, tha Burjani për “Kosova Sot Online”.

Kuvendet zgjedhore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, qoftë në nivel degësh apo nëndegësh janë duke vazhduar akoma, për të arritur te finalja e Kuvendit Zgjedhor ku pritet të zgjidhet i pari i LDK-së.

Image

E në kuvendet e deritashme nëpër degë e nëndegë janë shpeshtuar incidentet duke shkuar edhe në ekstremin e skajshëm në përplasje fizike në mes të anëtarëve të LDK-së në ato struktura partiake.

Sipas analistit politik, Blerim Burjani, këto zhvillime dramatike janë një luftë e pastër për pushtet dhe për interesat e ngushta të individëve. Madje ai paralajmëron së LDK mund të shkojë përfundimisht edhe drejt ndarjes.

“Nuk mundë të përjashtohet mundësia që qarjet të rriten dhe të kemi përsëri një skenar të përsëritjes së Kuvendit të 6 zgjedhor të LDK-së i cili pati kulmuar me eskalim të dhunë, gjuajtje me karrige dhe ndarjen e krahut të Nexhat Dacit me një grup deputetësh. Gjithçka është e mundshme dhe tash më mundë të konstatohet se diçka e çuditshme po ndodhë dhe po shkakton dëme serioze në këtë subjekt politik”, tha Burjani për “Kosova Sot Online”.

Sipas Burjanit, një pjesë e konsiderueshme e anëtarësisë së LDK-së, duke parë se partia është në avantazh sipas sondazheve që po publikohen, qëllimin e kanë që të përfshihen sa më shumë në strukturat drejtuese.

“Sepse kështu mundë të vijnë edhe të ndonjë pozitë më e mirë, ndonjë vend pune, andaj presioni nëpër degë është i madh që jenë nëpër organet drejtuese të partisë. Duke parë qe ky subjekt politik është ne avantazh të vogël politik, po ndodhë qe të gjithë anëtarësia ka interesim të jashtëzakonshëm për pozitat udhëheqëse, e kjo ambicie vjen si rezultat i varfërisë ekonomike që po mbretëron në vend, sepse është ideja e shumicës se vetëm përmes politikës mundë të arrihen të gjitha: punësimi, avancimi social, zhvillimi dhe pasurimi”, deklaroi Burjani për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, ky është një ves shumë i keq i krijuar tek anëtarësia e të gjitha partive politike në Kosovë, e që tani në këto zgjedhje ka dalë në sipërfaqe të madhe edhe në LDK, gjë që mundë ta humbë shumë besimin dhe seriozitetin tek qytetarët të cilët e mendojnë politikën si një lëvizje në shërbim të interesit të përgjithshëm dhe jo të interesave personale.

“Kjo të bënë të kuptosh se politika në këtë shtet nuk është shërbim por pasurim dhe mirëqenie ekonomike. Kjo është e rëndë por është kështu vetë realiteti i përgjithshëm i Kosovës. Kur jemi te lufta për përfitime nga politika, edhe në LDK mundë të ndodhë gjithçka, pra edhe ndonjë kuvend qendror i grushteve dhe përçarjeve, kështu që edhe ndarja e këtij subjekti mund të ndodhë lehtë në këto kushte si po zhvillohen këto kuvendet e degëve të LDK-së me shumë probleme e ballafaqime fizike”, përfundoi Burjani për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)