Vazhdon propaganda serbe: në veri po mungon qumështi, te gjitha produktet ushqimore po harxhohen

  • 26 June 2019 - 13:43
Vazhdon propaganda serbe: në veri po mungon qumështi, te gjitha produktet ushqimore po harxhohen

Ministri i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit të Serbisë, Rasim Lajiq tha se Serbia do të përpiqet të furnizojë popullatën në Kosovë, së paku me ushqimet bazike.

“Në mëngjes, na njoftuan se ka mungesë me qumësht, nuk ka fruta dhe perime në dyqane dhe rezervat e produkteve të tjera ushqimore ngadalë po boshatisen”, tha Lajiq për Radio Televizionin e Serbisë.

Ai tha se pas aksionit të njësisë speciale të policisë së Kosovës në veri, më pak mallra nga Serbia kanë shkuar në Kosovë, duke shtuar se për shkak të vendosjes së tarifës nga ana e autoriteteve të Kosovës “të gjithë kanë humbur” dhe më se shumti ekonomia serbe.

Të martën Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ripërsëritur deklaratën që Kosova ka njohuri që në veri të vendit po bëhen përpjekjet për të improvizuar një “krizë humanitare”. Siç ka thënë ai, në objekte dhe shtëpi të ndryshme në veri të Kosovës po mbahen produkte të caktuara ushqimore, ndërkohë që shitoret po boshatisen. Sipas tij, ky skenar do të duhej të aktivizohej të enjten.

(Kosova Sot Online)