Topalli përcjell fjalët e Maxhunit për spiunin në Zyrën e Thaçit: AKI s’është përgjegjëse se kë e emëron Presidenti këshilltar

  • 26 June 2019 - 15:29
Topalli përcjell fjalët e Maxhunit për spiunin në Zyrën e Thaçit: AKI s’është përgjegjëse se kë e emëron Presidenti këshilltar

Drejtori i Agjencisë për Inteligjencë, Shpend Maxhuni, ka raportuar para Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Kjo mbledhje është thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, sipas tyre për arsye të emërimit të agjentit serb Branislav Nikoliç (i shkarkuar) nga presidenti Hashim Thaçi si këshilltar i tij.

Pas mbledhjes së komisionit për mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, për medie me një deklaratë ka dalë deputeti nga radhët e PSD-së Faton Topalli.

Topalli u shpreh se drejtori i AKI-së Shpend Maxhuni është shprehur se nuk është përgjegjësi e AKI-së se kë emëron presidenti për këshilltarë.

Ndryshe Topalli shtoi se Maxhuni i ka siguruar deputetët që ky institucion është duke u marr  me akuzat për të cilat po dyshohet Nikolici.

“Në opinionin publik është shfaqë një problem që nja serb dyshohet që të jetë pjesë e shërbimit serb ne për këtë e kemi ftuar drejtorin e AKI që të na raportojë për këtë çështje nga ajo që na tha nga Maxhuni tha se AKI-ja nuk është përgjegjëse se kë e emëron për këshilltarë dhe kë nuk e emëron. Shërbimi i aki po merret me këtë çështje që akuzat që po i bëhen Branislav Nikolicit janë të vërteta apo nuk janë të vërteta. Në AKI nuk është emëruar akoma inspektorati i përgjegjshëm për inspektimin dhe auditimin e financave të AKI-së. Ky vend është që nga marsi i lirë dhe përgjegjës për emërimin e këtij inspektori është presidenti dhe kryeministri”, tha Topalli.

(Kosova Sot Online)