“Shpërthen” situata në PDK, figura të rëndësishme dalin kundër Kadri Veselit

  • 26 June 2019 - 15:39
“Shpërthen” situata në PDK, figura të rëndësishme dalin kundër Kadri Veselit

Fotografia që doli nga Kuvendi i fundit i PDK’së dukej festive. Nuk fluturonin karrigat, kurse delegatët dukeshin të lumtur. Mirëpo nuk është çdo gjë ashtu siç duket. Etiketimi që Veseli ua ka bërë disa prej figurave të rëndësishme të kësaj partie, duke kërkuar që ata të largohen deri sa të pastrohen nga korrupsioni, ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha. Brenda kësaj partie secili e di për secilin se çfarë ka bërë.

Partia më e madhe politike brenda koalicionit qeveritar, Partia Demokratike e Kosovës, është duke kaluar nëpër tronditje serioze, që kanë ardhur si pasojë e hapave që i ka ndërmarrë kryetari Kadri Veseli, pas Kuvendit të kësaj partie, ku ai u rizgjedh kryetar pa kundërkandidat.

Ani pse Kuvendi i kësaj partie në televizor dukej si një gjë për së mbari, media ka mësuar se pak më thellë balancat janë shumë më të brishta. Ajo që Kryetari Veseli e quajti si “lufta çlirimtare kundër korrupsionit” ka shkaktuar irritim në mesin e zyrtarëve seniorë të këtij subjekti politik, posaçërisht tek ata që janë prekur nga kjo ‘luftë’ e të cilët e konsiderojnë se as Veseli nuk është haxhi në këtë drejtim. 

“Ka pakënaqësi të mëdha, posaçërisht në mesin e shokëve të Veselit. Ata janë të revoltuar se si Kryetari Veseli me një performancë publike i njollosi, duke kërkuar që të japin dorëheqje, duke e portretuar vetën dhe ekipin e tij të ngushtë si shpresën e partisë, si njerëzit e pastër”, ka treguar një burim i mirinformuar.

Sipas këtij burimi, figurat qendrore të këtij subjekti, që nga Veseli u etiketuan si delja e zezë e partisë, që duhet të japin dorëheqje nga funksionet partiake, nuk do të jenë kafshatë e lehtë për kryetarin e PDK’së.

“Adem Grabovci është i mllefosur. Ai e konsideron të papranueshme që e gjithë partia ta konsiderojë atë fajtor për aferën Pronto”, ka vazhduar ky burim, duke treguar se edhe më tutje nuk janë deklaruar as kryetari i degës së PDK’së për Skenderaj, Sami Lushtaku, kryetari i degës së Klinës, Sokol Bashota, të cilët gjithashtu, sipas kritereve të Veselit duhet të largohen.  

“Veseli e ka të pamundur që t’i shkarkojë ata. Nuk e ka këtë fuqi. Secili prej këtyre njerëzve është i përgatitur të përballet me Veselin për korrupsion dhe për afera të tjera. Këta nuk janë të gatshëm që t’i marrin mëkatet e PDK’së të 12 viteve të fundit”, ka thënë ky burim.

I njëjti ka treguar që edhe ‘lideri shpirtëror’ i PDK’së, Hashim Thaçi, nuk është aspak i kënaqur për mënyrën se si Veseli është duke e udhëhequr partinë.

“Thaçi mendon që Veseli nuk duhet që të bëjë prerje të këtilla, duke i goditur disa prej figurave më të rëndësishme partiake”, ka vazhduar burimi. 

“Çdo kush në PDK e di për çdokënd çfarë ka bërë dhe sa ka bërë. Revolta e figurave qendrore me Veselin është që ky e ka nisur këtë luftë duke dashur që të duket ndryshe prej të tjerëve”, tha burimi.

(Kosova Sot Online)