OVL: Vendorët dhe ndërkombëtarët kënaqen vetëm kur Sabit Geci të vdesë

  • 26 June 2019 - 15:46
OVL: Vendorët dhe ndërkombëtarët kënaqen vetëm kur Sabit Geci të vdesë

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, përmes një reagimi për media ka shprehur shqetësimin për rastin e veteranit-invalidit të luftës Sabit Geci, i cili sipas kësaj organizate, është maltretuar kohë të gjatë, duke u mbajtur padrejtësisht nëpër burgje, për shkak të gjykimeve “për krime lufte” që për veteranët e luftës ishin dhe janë procese të montuara politike.

Duke e ditur gjendjen shëndetësore të Geci, i cili përballet me sëmundje të rënda, sëmundje të cilat janë edhe me diagnoza të njëjta nga ana e mjekëve të UNMIK, EULEX, Turqisë dhe Kosovës,  veteranët e luftës thonë se u ka ardhur mirë që drejtësia e liroi gjashtë muaj për shkaqe shëndetësore.

Por OVL e UÇK-së thotë se lidhur me këtë lirim, janë habitur me reagimin e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

“Lidhur me këtë lirim, jemi habitur me reagimin e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, z. Philip Kosnett dhe pyesim se a ka të drejtë të përzihet në drejtësi, dhe pse nuk reagon për mosgjykimin e serbëve, të cilët kanë bërë dhunime, djegie, shkatërrime dhe krime deri në gjenocid”, thuhet në reagimin e OVL-së së UÇK-së.             

Madje kjo organizatë ka shkuar më larg, duke thënë se vendorët dhe ndërkombëtarët kënaqen vetëm kur Sabit Geci është i vdekur.

“Për fund: Ne mendojmë se vendorët dhe ndërkombëtarët kënaqen vetëm atëherë kur Sabit Geci është i vdekur”, theksohet në fund të reagimit.

(Kosova Sot Online)