Mjekët flasin për gjendjen e pesëvjeçarit që u sulmua nga ujku në Hanin e Elezit

  • 26 qershor 2019 - 20:06
Mjekët flasin për gjendjen e pesëvjeçarit që u sulmua nga ujku në Hanin e Elezit

Arlind Suma ka pësuar disa plagë në trup nga një ujk, derisa luante me fëmijët në fshatin Dimcë.

Ka kohë që s’po arrin të qetësohet. Arlind Suma e ka të vështirë t’i ndalë të qarat pas asaj që i ndodhi një ditë më herët.

5-vjeçari nga Dimca e Hanit të Elezit po luante me shokët kur ai u sulmua nga një ujk.

Për shkak të plagëve të marra Arlindi është shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Babi i tij, Mitati, ndonëse nuk pranoi të fliste para kamerës, tregoi se në fshatin ku jetojnë, banorët gjithmonë janë të rrezikuar si nga ujqit dhe arinjtë.

Arlindi ka marrë disa plagë në trup nga kafshimi i ujkut.

Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Plastike, Zejnë Buja, thotë se momentalisht gjendja e pacientit është stabile.

Për shkak se Arlindi ka pësuar një traumë psikike, mjekët kishin ftuar edhe psikologun ta vizitonte pacientin.

Në një përgjigje për media, psikologu Besnik Kadriu, theksoi se pacienti për momentin është i shqetësuar.

Në raportin e tyre 24 orësh, rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

(Kosova Sot Online)