Vjen kërkesa për koalicionin PAN: Kështu duhet të ndalet Hashim Thaçi

  • 27 June 2019 - 07:36
Vjen kërkesa për koalicionin PAN: Kështu duhet të ndalet Hashim Thaçi

“Përderisa ky koalicion është në pushtet kështu i përçarë dhe kështu me interesa parciale dhe klanore, propozimi i korrigjimit të kufirit asnjëherë nuk mund të thuhet se është davaritur plotësisht. Përkundrazi ai mbetet gjallë për aq sa gjallë kanë interesa ta mbajnë Presidenti Thaçi dhe ai Vuçiq”, tha Abdullahu për “Kosova Sot Online”.

Analisti politik, Faton Abdullahu, duke parë vazhdimin e insistimit të Presidentit, Hashim Thaçi që me çdo kusht të arrihet marrëveshja e kompromisit me Serbinë, qoftë dhe për çmimin e ndryshimit të kufijve, vlerëson se ky pazar i madh i dëmshëm në interesin historik të vendit.

Image

Sipas Abdullahut, përveç tjerash ka për qëllim edhe egon e pangopshme të luftës për pushtet, pavarësisht që shkëmbimi i territoreve apo çfarëdo ndryshimi tjetër që devijon nga gjendja e tanishme kundërshtohet nga shumica e qytetarëve të vendit, mbi 93% e tyre.

Sipas analistit politik, Faton Abdullahu, koalicioni PAN e ka në dorë për ta ndaluar përfundimisht një projekt të tillë duke e shkarkuar Hashim Thaçin nga pozita në mënyrë që ta paranadalojë atë të ecë përpara në këtë pazar të dëmshëm.

“Por këta vazhdimisht po dëshmojnë të kundërtën për interesat e tyre të ngushta dhe kundër shtetit. Ky koalicion nuk mund ta ndal asnjë të keqe sot, për më keq iu bashkëngjitet atyre herë duke vepruar, herë duke qëndruar anash qëllimshëm. Propozimi për korrigjimin e kufirit është dëshmia më e mirë për këtë. Në të vërtetë ajo çfarë po bëjnë dhe ajo çfarë nuk po bëjnë tash sa kohë institucionet tona në veri janë në shërbim të idesë së korrigjimit të kufirit apo thënën ndryshe në shërbim të shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë’, tha analisti Abdullahu për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, që kur është shpalosur ideja e korrigjimit të kufirit edhe dialogu me Serbinë është deformuar rrënjësisht, prandaj ky koalicion nuk ka mundur ta ndal këtë të keqe e për më keq as efektet negative të këtij projekti të cilin akoma e promovon kreu i shtetit, Hashim Thaçi.

“Përderisa ky koalicion është në pushtet kështu i përçarë dhe kështu me interesa parciale dhe klanore, propozimi i korrigjimit të kufirit asnjëherë nuk mund të thuhet se është davaritur plotësisht. Përkundrazi ai mbetet gjallë për aq sa gjallë kanë interesa ta mbajnë Presidenti Thaçi dhe ai Vuçiq.

Prandaj zgjedhjet janë zgjidhja dhe premisa më pragmatike për ta ndalur këtë koalicion që të mos vazhdoj tutje me abuzime, për ta ndalur propozimin e Thaçit për korrigjim të kufijve dhe për ta mbrojtur Kosovën nga të gjithë këta bashkë”, përfundoi Abdullahu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)