Ljajiq i bindur: Javën tjetër i fusim mallrat tona në Kosovë

  • 27 June 2019 - 08:14
Ljajiq i bindur: Javën tjetër i fusim mallrat tona në Kosovë

Pas deklaratave të kryeministres serbe, Ana Bërnabiq dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq se Serbia duhet të fusë mallra në Kosovë, ka reaguar edhe ministri i Tregtisë i Serbisë, Rasim Ljajiq.

Ai është shprehur se duhet të gjindet një mënyrë që të futen mallra dhe ushqim bazë në Kosovë nga Serbia.

“Qeveria duhet urgjentisht t’i përgjigjet popullatës duke marrë gjithçka që u nevojitet dhe të ndërkombëtarizohet ky problem dhe të tregojmë çfarë ka shkaktuar taksa”, tha Ljajiq.

Ai ka shtuar se sipas raportit të njerëzve që kanë vizituar marketet në veri mëngjesim e sotëm, stoqe ka vetëm deri në fund të javës.

Sipas tij ka mungesë të qumështit, produkteve të qumështit dhe të pemëve e perimeve.

“Kemi pasur 2.662 kompani që kanë shitur mallra në Kosovë dhe tani shumica nuk i shesin mallrat e tyre”, tha Ljajiq.

“Mallrat që ata importuan nga vendet e tjera janë më të shtrenjta se tonat dhe prodhimi vendas nuk mund të kompensojë këtë mangësi”, tha ai.

Serbia ditëve të fundit ka inskenuar një krizë humanitare në veriun e Kosovës për të ngjallur reagimin e ndërkombëtarëve për taksën.

Ndërsa ministri në fjalë muaj më parë kishte deklaruar se mallrat serbe po futen në Kosovë nëpërmjet kontrabandës, ndërsa tani ankohet se nuk ka stoqe.

Vlen të theksohet se institucionet e vendit kanë mohuar kategorikisht se ka mungesë ushqimi në veri duke treguar se të gjithë qytetarët e Kosovës kanë qasje të njëjtë në ushqime dhe mallra.

(Kosova Sot Online)