Gjuriq ka plot akuza për Kosovën, zbulon planin e Serbisë për marrëveshjen përfundimtare

  • 27 qershor 2019 - 10:11
Gjuriq ka plot akuza për Kosovën, zbulon planin e Serbisë për marrëveshjen përfundimtare

Marko Gjuriq ka bërë akuza të reja drejtuar Kosovës duke zbuluar edhe planin e Serbisë për hapat e mëtutjeshëm në arritjen e marrëveshjes.

Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriq ka bërë akuza të reja drejtuar Kosovës.

Ai ka thënë se zyrtarët nga Prishtina me veprimet e tyre janë duke penguar stabilitetin e rajonit.

“Prishtina me kokëfortësi insiston se Uashingtoni është e vetmja instancë relevante ndërkombëtare në procesin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Ne kërkojmë të arrihet një marrëveshje që mund të jetë e dëshiruar nga të gjithë, jo vetëm për shtetet e BE-së, por edhe të fuqive të mëdha që nuk e kanë njohur vendimin e njëanshëm për shpalljen e pavarësisë së Kosovës”, deklaroi Gjuriq.

I pyetur nëse pret që një marrëveshje me Kosovën të nënshkruhet deri në fund ose në fillim të vitit të ardhshëm, Gjuriq ka thënë se vështirë është të flitet për perspektivat për arritjen e marrëveshjes në këtë periudhë.

“Për çfarëdo marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës është e nevojshme të ketë përgjegjësi maksimale. Prishtina me muaj ka manifestuar mungesë të përgjegjësisë. Nuk e mohoj mundësinë se gjërat mund të ndryshme në periudhë të shkurtër por në këtë moment duket pak e besueshme”, shtoi ai, transmeton lajmi.net.

Gjuriq ka thënë se serbët në Kosovë e kanë të vështirësuar jetën për shkak të taksës ndaj mallrave serbe.

“Prishtinës nuk i mjafton që i shkakton humbje prodhimit tonë, por edhe me aksione politike dhe agresive ka vendosur t’i ndërpresë alternativat dhe ta kërcënojë popullin tonë. Ua kujtoj se në kamionët me ushqim dhe gjëra të tjera është shtënë”, theksoi ai.

I pyetur se çfarë masa mund të vendos Serbia ndaj Kosovës dhe nëse e mbështet atë ide, Gjuriq ka thënë se vendimi i Serbisë është të jetë maksimalisht e kujdesshme dhe të bëjnë veprime të përgjegjshme.

“Qeveria e përgjegjshme me kujdes bën çdo veprim dhe mendon për disa veprime paraprakisht. I siguroj të gjithë qytetarët se është shumë më mirë të veprohet në mënyrë të përgjegjshme se sa në afekt dhe t’i bartim pasojat e destabilizimit në Kosovë dhe në kontekstin rajonal. Kuptohet, përmbajtja jonë nuk është shenjë se jemi pasiv dhe ekzistojnë kufij të durimit tonë”, përfundoi Gjuriq.

(Kosova Sot Online)