KFOR-i demanton keq Serbinë: S’ka krizë humanitare në veri të Kosovës

  • 27 June 2019 - 11:22
KFOR-i demanton keq Serbinë: S’ka krizë humanitare në veri të Kosovës

Zëdhënësi i KFOR-it në Kosovë, Vincenzo Grasso, ka thënë se sipas informacioneve që ka ky mision, në veri të territorit të Republikës së Kosovës, konkretisht në Komunën Veriore të Mitrovicës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, nuk ka rrezik për ndonjë krizë eventuale humanitare.

Këto deklarata Grassso i ka bërë në një përgjigje për gazetën serbe ‘Politika’, duke thënë se një retorikë e tillë nuk ndihmon normalizimin e jetës së njerëzve atje.

“Bazuar në informacionet që kemi, atje nuk ka rrezik për krizë humanitare. Një retorik e tillë nuk ndihmon njerëzit atje që të normalizojnë jetën e tyre”, ka thënë Grassso.

Përveç kësaj ai ka folur edhe për çështjen e sigurisë në atë pjesë, duke thënë se gjithçka është nën kontroll të KFOR-it.

“Situata është e qetë”, ka thënë ai, duke treguar edhe për arsyet se pse një helikopter i KFOR-it kishte fluturuar gjatë natës mbi pjesën veriore.

“ Fluturimi i helikopterit gjatë natës, ishte një trajnim i zakonshëm i një ekuipazhi të ri, sepse puna e tyre është në progres e sipër. Nuk ka nevojë për frikë”, ka shtuar ai.

Grasso ka thënë se e gjithë situata është nën kontroll dhe se asgjë e papritur nuk mund të ndodh, pasi që KFOR-i është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet relevante të Republikës së Kosovës.

(Kosova Sot Online)