Devollët kanë kërcënuar ta çojnë përsëri shtetin në Arbitrazh!

  • 27 June 2019 - 11:34
Devollët kanë kërcënuar ta çojnë përsëri shtetin në Arbitrazh!

Sikur në rastin e Z- Mobile kur Telekomi përfundoi në Arbitrazh Ndërkombëtar duke u dënuar më pas me rreth 27 milionë euro, edhe rreth çështjes së homologimit të veturave mund të përsëritet një situatë e tillë. Por, këtë mund ta parandalojë Pal Lekaj. Nëse do.  Nataliya Apostolova, shefja e zyrës së BE’së e ka këshilluar saktë Ministrin se çfarë duhet të bëjë për ta shmangur arbitrazhin.

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ka mbajtur një mbledhjen  me 19 qershor 2019, ku është diskutuar lidhur me udhëzimin administrativ të Ministrisë së Infrastrukturës lidhur me monopolin në fushën e homologimit të veturave.

Në këtë mbledhje të Komisionit ka qenë e ftuar Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Apostolova ka këshilluar aty  që Ministri Lekaj ta shfuqizojë udhëzimin administrativ para përfundimit të kontratës me kompaninë Eurolab për t’iu shmangur arbitrazhit ndërkombëtar.

Media ka siguruar procesverbalin e mbledhjes së Komisionit. Apostolova u ka thënë deputetëve se mënyra më e lehtë për ta shmangur Arbitrazhin është që Lekaj ta shfuqizojë udhëzimin para datës 1 korrik, kur përfundon kontrata e shtetit me kompaninë Eurolab.

“Ekziston një udhëzim administrativ dhe brenda këtij udhëzimi duhet të shmanget automatizmi i vazhdimit të kontratës dhe ky udhëzim duhet të amandamentohet nga ministri dhe ta bëjë në konformitet, në përputhje me rregullat e konkurrencës, por mënyra më e lehtë është që të shfuqizohet udhëzimi, para datës 1 korrik, sepse pastaj do të duhet të shkoni në arbitrazh dhe ky është rreziku më i madh për ju” është shprehur Shefja e Zyrës së BE-së.

Shefja e Zyrës së BE-së Nataliya Apostolova ka vazhduar duke thënë se udhëzimi administrativ i vitit 2018 i nënshkruar nga Ministri Pal Lekaj ka çuar në zgjerimin e monopolit të tanishëm.

“Sa i përket monopolit për homologimin e veturave, aktualisht jemi të brengosur se ka një udhëzim administrativ të vitit 2018, i cili ka çuar në zgjerimin e monopolit të tanishëm, ndonëse kontratave iu del afati në korrik 2019. Pra, siç na pati thënë atëherë ministria në fjalë, ne kemi frikë se kjo kontratë prapë do të vazhdohet në mënyrë automatike dhe setapi (Set up) i tanishëm do të bëjë restrikcione në monopolin e homologimit me këtë zgjatje automatike të operatorit ekonomik “Euro Lab” i cili e ka marrëveshjen ekskluzive që nga viti 2008”.

Image

 

 

 

Bullgarja më pas ka thënë se qytetarët e Kosovës po paguajnë çmimin më të lartë në rajon për homologim.

“Tanimë, qytetarët e Kosovës po paguajnë çmim më të lartë në rajon, 125 euro vetëm për një kontrollim për shërbimet të cilat u ofrohen vetëm në Prishtinë, , kështu që duhet të gjithë të udhëtojnë në kryeqendër, që nuk janë të sfiduara nga asnjë kompani tjetër dhe natyrisht këto çmime janë më të larta se në vendet tjera”.

Frikën nga  arbitrazhi e kanë përmendur edhe deputetët e LDK’së Lutfi Zharku e Hykmete Bajrami.

Bajrami, anëtare e Komisionit dhe ish-Ministre e Tregtisë dhe Industrisë në fjalën e saj në mbledhjen e Komisionit tha se në qeverinë e kaluar është diskutuar shkëputja e njëanshme e monopolit por tha se kjo  ka mundur  të çojë në dëme, të cilat më vonë do të duhej të kompensoheshin duke aluduar në vendimet e arbitrazhit ndërkombëtar.

“Mua më kujtohet që ne kemi pasur edhe një vendim për anulimin e monopoleve në Qeveri dhe pas diskutimeve që i kemi pasur me Ministrinë e Infrastrukturës dhe të tjera është ardhur në përfundim që shkëputja e një kontrate në mënyrë të njëanshme mund të qoj në dëme të cilat më vonë do të duhej të kompensoheshin, mirëpo, pas përfundimit të asaj kontrate, me u vazhdu me një udhëzim administrativ çfarë sot e kemi në fuqi, është tepër fatkeqe” ka thënë Bajrami.

Po ashtu këtë e ka përsëritur edhe Lutfi Zharku anëtar i Komisionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës që në qeverisjen e Isa Mustafës ishte Ministër i Infrastrukturës.

Ai  tha se vendimin për monopol nuk kanë mundur ta shkëpusin njëanshëm kontratën për shkak se Qeveria do ta humbte rastin në arbitrazh.

“E kemi gjetur një vendim i cili është nënshkruar në vitin 2008 dhe i cili ka garantuar monopol për 10 vite një kompanie të caktuar për homologim, të gjitha vërejtjet kanë shkuar në një drejtim që çdo vendim i qeverisë për shkëputje të njëanshme të kontratës do ta dërgonte qeverinë në arbitrazh apo në ndonjë gjykatë tjetër dhe qeveria do ta humbte rastin, kështu që nuk kishte zgjidhje tjetër përpos të respektohej vendimi apo marrëveshja e nënshkruar në vitin 2008” ka thënë Zharku.

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi gjatë mbledhjes i bëri pyetje Shefes së BE-së, Nataliya Apostolova se a ka ndonjë shtet të BE-së që ka ndonjë lloj të monopolit në homologim ndërsa ka akuzuar kolegët nga opozita për politizim të cështjes.

Por, Bajrami ia ka kujtuar që PDK ua kishte dhënë këtë monopol Devollëve ndërsa ka thënë se edhe AAK tash po e “ujit këtë monopol”.

“Ka qenë partia juaj dhe me nënshkrim të ministrit tuaj që në vitin 2008 ia ka dhënë monopolin në homologim të veturave për 10 vite, pastaj ka qenë partia ime që ka marrë një vendim që të eliminohen monopolet, pastaj kanë ardhur ekspertët dhe kanë thënë që ka një kontratë valide dhe nëse e shkëputni në mënyrë të njëanshme ka me shkuar në arbitrazh dhe do të i humbeni të njëjtat para dhe është partia e z. Nitaj i cili u shpreh se është kundër monopolit, por është partia e tij e cila po ujit monopolin.

Nataliya Apostolova iu përgjigj deputetit të PDK-së duke thënë se mund të ketë por edhe nëse ka atëherë kompania shtetërore e bënë atë dhe jo një kompani private.

“Ndoshta po, por nëse ka ndonjë shtet anëtar, i tillë, atëherë është kompania shtetërore ajo që e bënë këtë, por jo kompani private, dhe e dyta, mos harro të lutem, se në BE kemi Drejtorinë e Përgjithshme të Konkurrencës, e cila mundohet gjithmonë që të menaxhojë çdo nivel, brenda shteteve anëtare që merret me lirinë e tregtisë dhe konkurrencë së transportit dhe të gjitha këto kompani që e anashkalojnë këtë, sillen para Gjykatës Evropiane dhe e dini që ka shumë vendime të Gjykatës Evropiane, të cilat kanë dënuar kompanitë, dhe në këtë sens, unë kultivoj këtë që të gjitha ato shtete që thyejnë këto ligje duhet të paguajnë këto të holla”, ka thënë Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë. 

(Kosova Sot Online)