Kosova do ta ketë listën e saj të personave dhe organizatave terroriste, tani e zbaton atë të BE’së

  • 27 June 2019 - 11:40
Kosova do ta ketë listën e saj të personave dhe organizatave terroriste, tani e zbaton atë të BE’së

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka nxjerë sot dekret me anë të së cilit obligohen insititucionet e sigurisë që të krijojnë listën e personave, grupeve e organizatave të përfshira në aktet terroriste, e të cilët do t’i nënshtrohen masave kufizuese në territorin e Kosovës.

 “Deri në krijimin e listës vendore, sipas dekretit të presidentit Thaçi, institucionet e sigurisë në Republikën e Kosovës do ta zbatojnë Listën e Bashkimit Evropian të personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste, e cila është rifreskuar më 8 janar 2019”, shkruhet në njoftimin e lëshuar për media nga presidenca.

Tutje, thuhet se institucionet e sigurisë në Republikën e Kosovës obligohen që t’i ndërmarrin masat kufizuese përkatëse, në pajtim me praktikat ndërkombëtare, ndaj të gjithë personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në Listën e Bashkimit Evropian.

Republika e Kosovës ka dëshmuar në vazhdimësi përkrahje të pakompromis në luftën kundër ekstremizmit, radikalizmit dhe terrorizmit, duke dhënë shembull të mirë për tërë rajonin.

Në fund të njoftimit, thuhet se si pjesë aktive e aleancës globale kundër terrorizmit Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin me SHBA’në, BE’në dhe partnerët e saj për eliminimin e çfarëdo rreziku që i kanoset.

(Kosova Sot Online)