Skandali i radhës: Kështu po mashtrohen kosovarët për liberalizim vizash

  • 27 June 2019 - 12:36
Skandali i radhës: Kështu po mashtrohen kosovarët për liberalizim vizash

“Po kalojmë në fazën më të keqe, po flasim për euroatlantik e po sillen si politikanët aziatik ( jo krejt Azia) Afrikanë dhe ish huntat Jugoamerikane. Shtet është i kapur nga meritokracia që është gjithçka përveç saj. Na ka kapur një histeri e përgjithshme, nuk na intereson asgjë përveç kënaqësia shtazarake, pangopësi pa kufij pa e kyqur trurin por vetëm me një Folk patriotizëm”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit po i shohin me shumë dyshime të gjitha lëvizjet e fundit që po i bënë Prokuroria e Kosovës dhe gjyqësori, kinse për angazhimin më serioz në luftimin e krimit dhe të korrupsionit pas kritikave të ashpra të ndërkombëtareve.

Madje ditë më parë, Instituti i Kosovës për drejtësi- IKD, ka bërë të ditur se Institucionet e drejtësisë vetëm po e mashtrojnë popullin në emër të vizave.

E njohësit e kësaj fushe konsiderojnë se ky është edhe një skandal tjetër për drejtësinë kosovare, e cila po vazhdon çdo ditë e më shumë degradimin dhe është bërë një njollë e zezë për Kosovën.

Në këtë sistem të brishtë e jo funksional gjyqtarët dhe prokurorët vazhdojnë të jenë të shantazhuar dhe nën ndikimin e politikes dhe nëntokës kriminale, prandaj jemi keq dhe reagohet vetëm kur flasin ndërkombëtarët.

Image
Hasan Preteni

Kështu ka thënë për “Kosova Sot Online” edhe ish kreu i AKK-së, Hasan Preteni.

“Po, unë do të pyesja, deri kurë do të presim që vetëm miqtë tanë ndërkombëtare të na caktojnë agjendën shtetërore? Ata po na i hapin sytë për homologim, për “Devollët” për veteranët, për sistemin e të dënuarve, për dështimet edhe në bisedime, për nepotizëm dhe korrupsion dhe shumë çështje tjera jetike. Po ashtu kur flasim për këtë çështje unë do të pyesja këta njerëzit tonë që po na qeverisin dhe po na flasin për drejtësi: Po çka po bëjmë ne, po për çfarë shteti po luftojmë në. Po cili është vizioni ynë”, është shprehur Preteni për “Kosova Sot Online”.

Ai thotë se kësaj kaste politike që udhëheq shtetin dhe institucionet e drejtësisë, nuk i bënë përshtypje asgjë dhe prandaj merren vetëm me improvizime të tilla. 

“Definitivisht, politikanët tanë i kanë vetëm agjendat personale. Për ta vlen parimi i pasurimit individual, mbushi gjepat, kënaquni duke i plotësuar epshet e dështuara të rinisë, reflektoni kinse kulturë dhe shërim të komplekseve nga e kaluara rinore dhe familjare. Po kalojmë në fazën më të keqe, po flasim për euroatlantik e po sillen si politikanët aziatik ( jo krejt Azia) Afrikanë dhe ish huntat Jugoamerikane. Shtet është i kapur nga meritokracia që është gjithçka përveç saj. Na ka kapur një histeri e përgjithshme, nuk na intereson asgjë përveç kënaqësia shtazarake, pangopësi pa kufij pa e kyqur trurin por vetëm me një Folk patriotizëm”, përfundoi Preteni për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)