Kurti: Po të kishte test PISA për profesorët, kushedi si do të rangoheshim

  • 27 June 2019 - 13:00
Kurti: Po të kishte test PISA për profesorët, kushedi si do të rangoheshim

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje tha se shkollimi në Kosovë nuk ka qenë asnjëherë me i shtrenjtë e as me i dobët. Në seancën që po mbahet për gjendjen në arsim dhe vendimet e MAShT-it në Republikën e Kosovë, Kurti shprehi shqetësimet e tij për rezultatet e testit PISA, për të cilin tha se ka dëshmuar që Kosova me 146 pikë nën mesataren e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, ngelet në fund të ranglistës.

Meqenëse 40 pikë janë sa një vit shkollimi, ai tha se i bie që maturanti i Kosovës, është i nivelit të semimaturantit. Ai tha se arsimi në Kosovë është për arsimtarët e jo për nxënësit, pasi pjesa më e madhe e buxhetit shkon për pagat.

“Nuk e kemi një test të PISA-s për profesorët e arsimtarët, sepse kushedi se si do të rangoheshim aty. 68 për qind të nxënësve të Kosovës nuk arrijnë nivelin 2 në shkallën e përgjithshme të shkencës, 77 përqind në atë të leximit e 78 për qind të matematikës. Pra, përafërsisht 3/4 nuk i kanë njohuritë themelore. Kosova i ka gjysmë milioni banorë nën 15 vjeç. Duhet të brengosemi shumë për të kur kemi parasysh rezultatet e fundit të PISA-s për 15-vjeçarët”, tha ai.  

Kurti foli edhe për mungesën e trajnimeve, teksa shtoi se ka një numër shumë të madh të atyre që punojnë në fusha për të cilat nuk kanë studiuar. Sipas tij, pavarësisht shkollimit të tyre, të rinjtë po punojnë në fusha të tjera, gjë që merr kohë edhe kooperimi i tyre në vendin e punës.

“Mbifurnizimi me disa profesione, dhe mungesa në disa të tjera, janë gjithashtu dukuri e normalizuar në këtë hendekun e shkathtësive. Për shembull 52 për qind e studentëve në arsimin e lartë studiojnë shkencat shoqërore, biznes apo juridik, e vetëm 2 për qind bujqësi, ndonëse bujqësia përbënë 10 përqind të brutoproduktit vendor në Kosovë… Prandaj nuk është e rastësishme që mbi 90 për qind të të diplomuarve në Universitetin Amerikan (RIT) janë të punësuar apo kanë bizneset e tyre”, u shpreh Kurti.

(Kosova Sot Online)