I hapet rruga sponsorizimit në kulturë, rini e sport në Kosovë

  • 27 qershor 2019 - 13:55
I hapet rruga sponsorizimit në kulturë, rini e sport në Kosovë

Sot deputet e Kuvendit të Republikës së Kosovës votuan amendamentet e harmonizimit të ligjeve tjera me Ligjin për Sponsorizim në fushën e Kulturës Rinisë dhe Sportit, duke hapur kështu rrugën për mundësimin e sponsorizimit të rreth 30 milionë eurove brenda një viti për zhvillimin e fushave që parasheh Ligji për Sponsorizim, njofton Ministria e Sportit.

Me këtë rast, Ministri Kujtim Gashi, falënderon kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe shpreh mirënjohjen ndaj deputetëve për votën e tyre, por edhe të gjithë ata që kanë kontribuuar për të ardhur deri në këtë pikë. Në anën tjetër, ministri Gashi i uron të rinjtë, sportistët e artistët për këtë lajm të mirë për ta.

“Saga e Sponsorizimit u kry! Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës votuan për harmonizimin e Ligjit për të ardhura në korporata me Ligjin për sponsorizim. Implementimi i Ligjit për Sponsorizim do të thotë, sport më cilësor, prezantim më i suksesshëm i sportistëve në arenën ndërkombëtare e kësisoj promovim i mëtejmë i Kosovës ndërkombëtarisht, më shumë medalje për sportistë e më shumë çmime ndërkombëtare për artistë”, u shpreh ministri.

Ministri ka sqaruar se me të marrë drejtimin e MKRS-së ka nxitur iniciativën për të hartuar Rregulloren përkatëse, themelimin e Komisionit për vërtetimin e sponsorizimit, si ka inkurajuar punën për të lëshuar vërtetimet e para për disa donatorë.

Ministri ka thënë se si MKRS kemi përfunduar paraprakisht të gjitha obligimet që dalin nga ligji përkatës. 

(Kosova Sot Online)