Bie kambana për Kosovën: Shteti e pranon dështimin, 10 mijë vende pune më pak...

  • 28 June 2019 - 07:41
Bie kambana për Kosovën: Shteti e pranon dështimin, 10 mijë vende pune më pak...

“Ky trend kaq i madh negativ me siguri është ndjerë me kohë tek qytetarët, tek të rinjtë të cilët po i bashkohen tregut të punës nga viti në vit prandaj edhe kemi në vazhdimësi lëvizje të qytetarëve drejtë vendeve të tjera për të gjetur punë”, tha Aliu për “Kosova Sot Online”.

Sipas Entit të statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2018 kemi një rënie prej 10.000 vendeve të punës në krahasim me 2017-ën, ndërkohë që vetëm në tre mujorin e parë të këtij viti kemi përsëri rënie prej mbi 6000 vendeve të punës.

Image

E sipas analistëve, sado që qeveria e Kosovës nuk dëshiron të flasë asnjëherë për ngecjet në zhvillimin ekonomik dhe humbjen e perspektivës së qytetarëve për një jetë më të mirë në vend, raportet që dalin nga Enti i Statistikave të Kosovës tregojnë se megjithatë Kosova zyrtarisht po përballet me problemin serioz të hapjes së vendeve të reja të punës.

Analisti politik, Bislim Aliu thotë për “Kosova Sot Online” se në një vend- shtet normal, raportet që dalin nga Enti Statistikor i Shtetit do të duhej të merreshin seriozisht në mënyrë që qeveria të ndërmerr masa urgjente për përmirësimin e politikave ekonomike në mënyrë që të ndërpres trendin e humbjes së vendeve të reja. Sipas Aliut, përndryshe janë të pa shmangshme pastaj edhe përpjekjet e qytetarëve për të gjetur alternativa të tjera, e një ndër ato është migrimi jashtë shtetit, një fenomen që këto vitet e fundit e ka prekur rëndë shtetin e Kosovës dhe po vazhdon pa ndërprerë.

“Është me të vërtetë për keqardhje kur publikohen të dhëna të tilla zyrtare që janë edhe të besueshme, e ku sipas Entit të Statistikës së Kosovës, kemi rënie drastike të vendeve të punës nga viti në vit. Sikur që u raportua me të dhënat e fundit, vetëm gjatë vitit 2018, kemi rënie prej 10.000 vendeve të punës në krahasim me vitin 2017-ën, ndërkohë që vetëm në tre mujorin e parë të këtij viti, kemi përsëri rënie prej mbi 6000 vendeve të punës. Ky trend kaq i madh negativ me siguri është ndjerë me kohë tek qytetarët, tek të rinjtë të cilët po i bashkohen tregut të punës nga viti në vit prandaj edhe kemi në vazhdimësi lëvizje të qytetarëve drejtë vendeve të tjera për të gjetur punë. Këto lëvizje po vërehen së fundi qoftë drejtë vendeve të zhvilluara të BE-së, në të gjitha rrugët që mundë të lëvizet andej, qoftë dhe në shtetet fqinjë, duke përfshirë këtu Kroacinë dhe Malin e Zi, kudo që gjendet një mundësi e përshtatshme për një vend të sigurt pune”, tha Aliu për “Kosova Sot Online”.

Sipas Aliut, Kosova ka dështuar që së paku të merr model për politikat zhvillimore të vendit dhe zgjerimin e tregut të punës, duke krijuar dhe jo duke humbur vende pune, dhe për model parmend Republikën e Maqedonisë së Veriut, një shtet i vogël në fqinjësi, por që ekonomikisht po tregon stabilitet dhe zhvillim hap pas hapi.

“Nëse krahasohet Kosova me Maqedoninë, atëherë sipas të dhënave që janë publikuar del se në periudhën e njëjtë Maqedonia ka një rritje prej 50.000 vendeve të punës. Ky është një trend shumë pozitiv për një shtet që vjen nga ish shpërbërja e Jugosllavisë dhe që për model mundë ti shërbenin politikat ekonomike edhe qeverisë së Kosovës.

Mirëpo ne kemi dështuar në këtë aspekt për vite të tëra dhe për këtë arsye Kosova si një vend ku nuk sundon ligji, mbetet ekonomikisht i pa zhvilluar, nuk kemi hapje të vendeve të reja të punë, kemi deficit të madh në këtë fushë sepse Kosova realisht edhe nga të tjerët po vlerësohet si një shtet i brishtë në duart e mafies dhe nëntokës kriminale. Derisa të jetë kështu nuk ka shans të hapen vende të reja të punës sepse në Kosovë kemi monopole kriminale, në duart e mafies kriminale, të lidhur me pushtetarët e inkriminuar”, përfundoi analisti politik, Bislim Aliu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)