Paralajmërimi i tmerrshëm: Ky është skenari serb për ndarjen e Veriut të Kosovës

  • 28 June 2019 - 07:44
Paralajmërimi i tmerrshëm: Ky është skenari serb për ndarjen e Veriut të Kosovës

“Edhe loja e improvizimit të një krize të mundshme humanitare nga serbët lokalë në veri të Kosovës është një test serioz i planeve të rrezikshme, natyrisht të kurdisura kundër shtetit tonë, por edhe kundër komunitetit ndërkombëtar këtu”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Në komunat me shumicë serbe në veri, serbët kanë filluar planin e tyre për destabilizim të kësaj pjese të Kosovës duke improvizuar një krizë humanitare sipas tyre.

Image

E kjo sipas analistit politik, Ramiz Bojaj ngre dyshimin se edhe ky skenar është një plan tjetër rezervë i akorduar mes Thaçit e Vuçiqit për zbatimin e planit të korrigjimit të kufijve dhe ndarjes, për të cilin aq shumë janë angazhuar.

“Hashim Thaçi me vasalët e vetë, nuk do ta lë Kosovën e qetë, për aq kohë sa Serbia nuk e lë të qetë Hashim Thaçin. Kjo për faktin se presidenti ynë Thaçi ka pranuar para Vuqiqit të hapë temën e ndryshimit të kufijve të Kosovës, që nënkupton ri dizajnim të sovranitetit shtetëror të vendit tonë, lëkundje deri në përmasat e rrënimit të shtetësisë”, tha analisti politik, Ramiz Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Pra, sipas Bojajt, duke ia dorëzuar Serbisë të ardhmen e Kosovës, integritetin e sovranitetit territorial e shtetëror, do të ndodhin lloj-lloj improvizimesh, testimesh e destabilizimesh deri në arritjen e qëllimeve të përbashkëta Thaçi-Vuqiq, për realizimin e aspiratave serbe në Kosovë.

“Serbia ka paralajmëruar se nëse nuk bisedohet për ndarjen e Kosovës, nuk do të ketë asnjë lloj negociatash. Dhe presidenti ynë kërkon me çdo kusht negociata me Serbinë, duke e shpallë këtë mision si krye prioritet”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Prandaj, Bojaj ka shtuar se kriza e tanishme që po inskenohet në veri si krizë humanitare, fare lehtë mund të kalojë në krizë politike dhe për rezistencë në tendencë të shkëputje së kësaj pjese për bashkëngjitje shtetit serb, i cili veç po i instrumentalizon qytetarët e komunitetit serb.

“Edhe loja e improvizimit të një krize të mundshme humanitare nga serbët lokalë në veri të Kosovës është një test serioz i planeve të rrezikshme, natyrisht të kurdisura kundër shtetit tonë, por edhe kundër komunitetit ndërkombëtar këtu. Kosova paguan rrymën për veriun, paguan administratën e policinë atje, ndërsa ata shpallin krizë humanitare! Në këtë pjesë lulëzon edhe ligji i xhunglës i dirigjuar nga Serbia,por i ndihmuar edhe nga klanet mafioze në jug. Njëherësh kjo është dëshmi e mosfunksionimit të shtetit tonë, në tërësinë e vetë territoriale, bazuar në ligjet e veta juridike e kushtetuese. Pushtetarët e Kosovës, kohë pas kohe, kanë ditur të bëjnë filma e spektakle me polici në këtë pjesë të vendit tonë, por nuk kanë ditur e nuk kanë ‘dashur’ të vendosin rend e ligj. Ky vakum institucional, ka bërë qe kjo pjesë të futet tërësisht nën kontrollin e strukturave paralele e kriminale të nxitura nga Serbia”, tha Bojaj për” Kosova Sot Online”.

Prandaj për ta arritur këtë qëllim, Bojaj thotë se vijnë edhe kërcënimet e hapura nga Serbia për marrëveshje të detyrueshme për ndryshim kufijsh ose konflikt, sikur që e thotë edhe Hashim Thaçi.

“Serbia kërcënon se nëse nuk ka marrëveshje me Kosovën do të ketë konflikt. Kështu thotë edhe presidenti ynë Hashim Thaçi!- Pra, liderët tanë e kanë vënë shtetin e sovranitetin si mburojë për fatin e tyre”, përfundoi Bojaj për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)