Sot 30 vjet më parë Sllobodan Millosheviq në qendër të Kosovës paralajmëroi luftën

  • 28 June 2019 - 08:52
Sot 30 vjet më parë Sllobodan Millosheviq në qendër të Kosovës paralajmëroi luftën

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë rreth “dy milionë serb”, sipas vlerësimeve serbe, ndërsa rreth 300.000 sipas Reutersit. Ata kryesisht janë sjellë nga Serbia në mënyrë të organizuar. Gjithashtu prezentë kanë qenë edhe anëtarët e Kryesisë së RFSJ në krye me Janez Dërnovshekun, mirëpo përfaqësuesi kroat Stipe Shuvar ka refuzuar të merr pjesë, pastaj aty ka qenë edhe Millan Pançevski, kryetari i atëhershëm i Kryesisë së Komitetit Qendror të LKJ, ndërsa fjalimin qendror e ka mbajtur Sllobodan Millosheviq, kryetar i atëhershëm i Kryesisë së RS të Serbisë.

Në ceremoni kanë marrë pjesë edhe ambasadorë e shumë vendeve të huaja në Jugosllavi, derisa ambasadori i SHBA Warren Zimmerman dhe ai i Turqisë kanë refuzuar të marrin pjesë.

Ky fjalim i Millosheviqit, vlerësohet se ishte paralajmërimi i zbatimit të planit serbomadh të futjes nën kontroll gjithë Jugosllavinë, e çka përfundoi me kasaphanat serbe nëpër gjithë ish Jugosllavi deri në shpërbërjen definitive të saj.

“Në këtë vend, në zemër të Serbisë, në fushën e Kosovës, para gjashtë shekujve, para plot 600 vjetëve ka ndodhur një prej betejave më të mëdha të asaj kohe. Si edhe të gjitha ngjarjet e mëdha, edhe këtë e përcjellin shumë pyetje dhe sekrete, ajo është temë e hulumtimit të pandërprerë e shkencëtarëve dhe e kureshtjes së thjesht popullore. Me ndikimin e rrethanave shoqërore ky jubile i madh gjashtëqindvjeçar i Betejës së Kosovës ndodhi në vitin në të cilin Serbia, pas shumë vjetësh, pas shumë dekadash, ia ka kthyer shtetit të vet integritetin nacional dhe shpirtëror. Prandaj, sot nuk e kemi vështirë të flasim për atë pyetje të vjetër: “me çfarë do të dalim para Milloshit”. Me lojën e historisë dhe jetës si duket se Serbia pikërisht në këtë vit 1989 e ka kthyer shtetësinë dhe krenarinë e saj në mënyrë të festojë këtë ngjarje historike nga e kaluara e largët e cila ka pasur rëndësi të madhe historike dhe simbolike për ardhmërinë e saj”.

Pastaj Millosheviq thotë:

“Serbia sot është e bashkuar, e pavarur me republikat tjera dhe e gatshme të bëjë gjithçka që të përmirësohet jeta materiale dhe shoqërore e qytetarëve të saj”.

Duke vazhduar, “Populli serb sivjet është bërë i vetëdijshëm për domosdoshmërinë e bashkimit të tij të përgjithshëm, si një nga kushtet e domosdoshme për jetën e tij të tanishme dhe zhvillim të mëtutjeshëm. Jam i bindur se kjo vetëdije mbi pajtimin dhe bashkimin do t’i mundësojë Serbisë jo vetëm të funksionojë si shtet, por të funksionojë si shtet i suksesshëm. Prandaj mendoj se ka kuptim që kjo të thuhet pikërisht këtu, në Kosovë ku mospajtimi me shekuj e ka degraduar dhe cenuar Serbinë, dhe ku pajtimi i ripërtërirë mund t’ia kthejë dinjitetin e humbur”.

Pastaj thotë:

“Përsëri jemi para betejave dhe në beteja. Ato nuk janë të armatosura, megjithëse as ato nuk janë të përjashtuara”.

“Beteja jonë kryesore sot ka të bëjë me realizimin e prosperitetit ekonomik, politik, kulturor dhe në përgjithësi shoqëror. Për këtë betejë sidomos kërkohet trimëri. Pa këtë trimëri asgjë në botë, diçka serioze dhe e madhe nuk mund të arrihet, ajo mbetet e pandryshuar, mbetet përjetësisht e nevojshme”.

Dhe në fund thotë: “Para gjashtë shekujve Serbia, këtu, në fushën e Kosovës e ka mbrojtur veten. Por e ka mbrojtur edhe Evropën. Ajo atëherë ishte bastion i cili e mbronte kulturën, religjionin, dhe shoqërinë evropiane në përgjithësi. Prandaj sot duket jo vetëm e padrejtë por edhe johistorike dhe plotësisht absurde të bisedohet për përkatësinë e Serbisë në Evropë. Ajo është në të pandërprerë, edhe sot si më herët. Kuptohet, në mënyrën e saj. Mirëpo atë në kuptimin historik askush nuk ka mundur ta privojë nga dinjiteti i saj”.

Vlen të përmendet se me rastin e këtij fjalimi atëbotë ka komentuar edhe Ibrahim Rugova kryetari i atëhershëm i LDK.

“Gazimestani është një manifestim shovinist. Nuk kanë luftuar vetëm serbët kundër turqve, në betejë kanë marrë pjesë edhe shqiptarët, kroatët dhe boshnjakët. Kjo është ngjarje me rëndësi për gjithë popujt e Jugosllavisë. Përshtypja ime është se në Jugosllavi ekzistojnë forcat të cilat gati i dëshirojnë aksionet terroriste në Kosovë. Unë mund vetëm t’i paralajmërojë serbët se gjithmonë kur një popull i vogël, e serbët janë popull i vogël, është përpjekur ta imponojë superioritetin e tij në Ballkan, ajo gjithmonë ka përfunduar me tragjedinë e tij personal”, ka deklaruar Rugova në vitin 1989.

Me rastin e shënimit të 600 vjetorit të Betejës së Kosovës, Sllobodan Millosheviqi në fjalinë e tij e ka shfrytëzuar fuqinë simbolike të mitit të Kosovës për të mbledhur masën rreth politikës së tij. Në fjalimin e tij, ai për herë të parë e quajti Kosovën zemër të Serbisë, gjë që më vonë u pranua nga masat e gjëra si parullë nacionaliste.

Fjalimi i Millosheviqit në Kosovë ka shënuar fundin e idesë së Jugosllavisë së përbashkët, ndërsa ai u shndërruar në liderin e gjithëpushtetshëm serb, derisa nuk përfundoi në burgun e Sheveningenit si kriminel lufte, ku edhe i kaloi vitet e fundit të jetës.

(Kosova Sot Online)