Arrestohen hajnat që vodhën rreth 3 mijë euro dhe 17 çelësa të një auto-salloni në Podujevë

  • 28 June 2019 - 10:14
Arrestohen hajnat që vodhën rreth 3 mijë euro dhe 17 çelësa të një auto-salloni në Podujevë

Një vjedhje e rëndë ndodhi para rreth një muaji në fshatin Siboc të Podujevës. Hajnat atje vodhën 17 çelësa të auto-sallonit “Xhaviti”, tre mijë euro dhe shumë dokumente në një makinë.

Salloni ishte cak i hajnave edhe të nesërmen, por që nga pronarët ishte zënë një nga hajnat edhe ishte dorëzuar në Policinë e Podujevës. Mirëpo, i njëjti, sipas pronarit të auto-salloni, ishte liruar me vendim të prokurorit.

Hajnat kishin vjedhur dy çanta, njëra me dokumente dhe tjetra me mbi tre mijë euro. Po ashtu ishin thyer vetura dhe ishin vjedhur 17 çelësa të veturave në këtë auto-sallon që tashmë pronarit po i kushton shtrenjtë për t’i zhbllokuar ato.

Sipas pronarit, hajni ishte liruar vetëm pas 24 orëve. Por, që i njëjti ka vazhduar me avazin e njëjtë, duke thyer vetura tjera në vend, konkretisht në Fushë-Kosovë. Megjithatë, Policia e Kosovës dje ka njoftuar se ka arrestuar dy persona me inicialet, D.K (1991) dhe D.H(1995), e që të njëjtit, sipas pronarit Muzli Ramadanit, patën sulmuar biznesin e tij para rreth një muaji.

“Këta të njëjtit më kanë vjedh edhe mua. 17 kerre më kanë mbetur të bllokuara. 3200 euro pare, me dokumente të veturave krejt. D.K dhe D.H qita dy edhe mua më kanë vjedhur. Unë ia kam lënë në dorë policisë, kishe merren këta me këtë punë, por send. Njërin e patëm zënë duke tentuar të na vjedh sërish e kemi dorëzuar në Policinë e Podujevës, por vetëm pas 24 orëve është liruar. Policia i ka liruar në procedurë të rregullt, as nuk m’i kanë kthyer çelësat as kurrgjë”.

(Kosova Sot Online)