Rrëfimi për vrasjen me pagesë në Deçan, gjithçka ndodhi rreth një borxhi që...

  • 28 June 2019 - 16:40
Rrëfimi për vrasjen me pagesë në Deçan, gjithçka ndodhi rreth një borxhi që...

Një shtëpi në Prishtinë dhe një borxh prej 10 mijë eurosh, ka qenë pikënisja e mosmarrëveshjeve ndërmjet, tani të akuzuarit Bekim Raja dhe tani të ndjerëve, Mark Kqira dhe Ferdinand Gjini.

Kjo ka qenë një pjesë e dëshmisë nga Martin Berisha, i cili është dëgjuar në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Pejë, në gjykimin që po zhvillohet ndaj Bekim Rajës, Gjon Pnishit, Avni dhe Murat Sinanajt, nën akuzat se duke vepruar në bashkim kriminal, në qershor të vitit 2014, e kanë kryer vrasjen e tani të ndjerit, Ferdinand Gjini, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kurse, Mark Kqira ishte vrarë në tetor të vitit 2011, për të cilën vepër, Prokuroria Themelore në Gjakovë, në vitin 2016, i kishte mbyllur hetimet pasi nuk kishte arritur të identifikonte asnjë të dyshuar.

Sa i përket rastit të vrasjes së Gjinit, në seancën e së premtes, dëshmitari Berisha, ka thënë se aktit të vrasjes i ka paraprirë një rrahje ndërmjet Gjinit e Kqirës, me të akuzuarin Raja. 

Berisha ka thënë se dy shokët e tij, Gjini e Kqira, kishin pasur një konflikt me të akuzuarin Raja, për një shtëpi në Prishtinë, e që sipas dëshmitarit, ky konflikt kishte nisur për një borxh prej 10 mijë euro.

Ai ka thënë se si pasojë e kësaj, kishte rezultuar me një rrahje të Bekim Rajës nga Kqira e Gjini.

“Markun e kam pasur shokë të shpirtit, kurse Ferdinantin e kam njohur përmes Markut. Ferdinandi ka qenë person shumë i sinqertë. Kam njohuri se Marku dhe Ferdinandi kanë pasur një konflikt me Bekim Rajën për një shtëpi në Prishtinë dhe konflikti ka ardhë për 10 mijë euro”, ka deklaruar ky dëshmitar.

Për rrahjen e Rajës, ai ka thënë se e kishte kuptuar nga shoku i tij Kqira, i cili i kishte traguar për rastin.

“Jemi kanë në shtëpi kur më ka thirr Marku në telefon dhe e ka hapur telefonin nipi im dhe Marku, i ka thënë nipit tim se kam bërë fjalë me Bekim Rajën dhe e kam marrë në telefon Markun dhe i thash “çka u ba”, dhe më tha Marku”s’pata çka me ba, as ka me shku, se na ka ranu me fjalë”, ka thënë ai.

Dëshmitari Berisha, ka deklaruar se kur kishte shkuar të shtëpia e Mark Kqirës, ai i kishte treguar se Bekim Raja i kishte thënë fjalë të rënda dhe i kishte thënë se nuk lodhet për borxhin prej 10 mijë eurosh.

“Kur shkova të shtëpia e Markut kishin qenë policia duke e kërkuar Markun, pasi policia shkoi hyna brenda e kam thirr në telefon Markun dhe pas pak minutave ka ardhë në shtëpi me dy djemtë e dajës së tij. Marku më tregoi se Bekimi i kishte thënë fjalë të rënda dhe e kishte kundërshtuar duke i thënë se nuk lodhet për borxh të 10 mijë eurove. Mua Marku më tha se më shumë e kishte ni vetën të rëndë kur Bekim Raja ia kishte ofenduar shokun e tij, Ferdinandin”, ka thënë Berisha.

Në këto minuta të bisedës në shtëpinë e Kqirës, dëshmitari Berisha, ka thënë se kishte telefonuar tani i akuzuari Raja.

“Pas disa minutave ka cingrruar telefoni i Markut, nuk ishte numër me emër dhe e kam qelë telefonin unë dhe në lidhje ishte Bekim Raja. Unë i thash Bekimit se Marku nuk është këtu. Bekmi më tha se leja një porosi Markut dhe atë “ia kam dhan motrën, kam m’ia dhanë vajzën 9 vjeçare nëse i han Krishtlindjet e Vitin e Ri, kam me t’i lan fmit jetim e nanën atij”, ka thënë dëshmitari Berisha.

Në pyetjen e prokurores Valbona Dishaj-Haxhosaj, se gjatë bisedës mes tij dhe të akuzuarit Raja, a e kishte përmendur ky i fundit tani të ndjerin Gjini, dëshmitari është përgjigjur duke thënë ai nuk e kishte përmendur Gjinin, gjatë bisedës në telefon.

Për të evituar këtë konflikt, dëshmitari Berisha, ka thënë se së bashku me vëllain e tij, kishin tentuar t’i pajtojnë Rajën e Kqirën, mirëpo nuk kishte pasur sukses.

“Me pas ka ardhë konflikti në verë kur Marku dhe Ferdinanti së bashku janë rrahur me Bekim Rajën në Shkugëz të Pishat në Gjakovë”, ka thënë dëshmitari. 

Pas rrahjes së Bekim Rajës, dëshmitari Berisha, ka deklaruar se ishte takuar me Ferdiand Gjinin, dhe Mark Kqirën, mirëpo sipas tij, ky i fundit nuk kishte shprehur ndonjë shqetësim apo frikë, kurse sa i përket Gjinit, sipas tij, për këtë nuk kishte biseduar.

Por, për deklaratat e këtij dëshmitari, janë kundërshtuar nga ana e mbrojtjes së të akuzuarit Bekim Raja, avokatit Arianit Koci.

Sipas tij, dëgjimi i këtij dëshmitari është i panevojshëm sepse nuk lidhet me çështjen e vrasjes së Ferdinand Gjinit, por të vrasjes së Mark Kqirës.

Në pyetjen e avokatit Koci, se familja Raja, pos problemit me tani të ndjerin Mark Kqira, a kishte probleme të tjera, dëshmitari Berisha, është përgjigjur duke thënë se nuk e dinte një gjë të tillë, për shkak se siç ka thënë ai, nuk i interesojnë punët e huaja.

Më pasi, ai ka thënë se përveç problemit që kishin pasur Kqira me Rajën, nuk dinte ndonjë problem tjetër që kishte pasur shoku i tij.

Ndryshe, në këtë seancë ishte e paraparë të dëgjohet edhe dëshmitari Kristian Markaj, mirëpo me propozimin e prokurores Disha-Haxhosaj dhe me pajtimin e mbrojtësve të pandehurve, deklarata e tij e dhënë në prokurori dhe në shqyrtimin e mëparshëm gjyqësor, është konsideruar e lexuar.

Ndërkaq, kërkesa për publikimin e përgjimeve në shqyrtim gjyqësor ka bërë që të këtë kundërshtime ndërmjet avokatit Koci dhe prokurores Disha-Haxhosaj.

Koci ka kërkuar që të dëgjohet publikisht biseda e zhvilluar përmes telefonit në Qendrën e Paraburgimit, ndërmjet të pandehurve, të cilën kërkesë e ka kundërshtuar prokurorja Disha-Haxhosaj.

“Nuk dihet kush është duke biseduar dhe në të shumën e kohës nuk është e qartë se çka po flitet dhe nuk dëgjohet mirë dhe duhet këtu publikisht t’i dëgjojmë përgjimet”, ka thënë Koci.

Mirëpo, prokurorja ka thënë se nuk pajtohet se përgjimet të dëgjohen në gjykatë, pasi sipas saj, është humbje kohe dhe se ekzistojnë transkiprtet me shkrim, të cilat kanë rrjedhë nga përgjimet.

Ndërsa, mbrojtësja e të akuzuarit Avni Sinanaj, avokatja Kosovare Kelmendi, ka kërkuar nga gjykata që seanca e së premtes të shtyhet pasi sipas saj, gjatë ditës kishte zbuluar prova, të cilat siç ka thënë ajo, e kontestojnë ligjshmërinë e këtyre përgjimeve.

Sipas Kelmendit, këto prova nuk i kishte në seancën e së premtes, dhe për këtë arsye ka kërkuar që ato t’i dorëzojë në seancën e radhës.

Një propozim të tillë, e ka kundërshtuar prokurorja Disha-Haxhosaj, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Korab Bokshi dhe mbrojtësi i të akuzuarit Gjon Pnishi, avokati Ndrec Dodaj.

Gjykatësi Sami Sharraxhiu, më pas e ka aprovuar propozimin e avokates Kelmendi për shtyrjen e seancës, ndërsa lidhur me propozimin që përgjimet të dëgjohen publikisht, ka thënë se do të vendos në seancën e radhës.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 26 korrik 2018 nga Prokuroria Themelore në Pejë, të pandehurit Avni Sinanaj, Murat Sinanaj dhe Bekim Raja akuzohen se në maj të vitit 2012 në Zvicër, i pandehuri Bekim Raja me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt, e ka porositur të pandehurin Gjon Pnishi, që ky i fundit së bashku me të pandehurit Avni dhe Murat Sinanaj, ta kryejnë vrasjen e Ferdinand Gjinit, duke premtuar dhe dhënë shpërblim prej njëqind mijë franga zvicerane.

Në dispozitivin e aktakuzës, përshkruhet se të pandehurit Gjon Pnishi, Avni dhe Murat Sinanaj, më 23 qershor 2014, duke vepruar sipas marrëveshjes paraprake në mes tyre në mënyrë dinake dhe me qëllim të fitimit të dobisë pasurore për vete, e mashtrojnë viktimën duke e joshur me substanca narkotike, në atë mënyrë që viktima niset me veturën e tij “Passat” nga Gjakova për në drejtim të Deçanit, i përcjell nga i pandehuri Gjon Pnishi, për të shkuar dhe për të marrë një sasi të substancave narkotike, ashtu siç i kishte premtuar i pandehuri Avni Sinanaj.

Më tutje, sipas aktakuzës, i pandehuri Gjon Pnishi, duke vepruar sipas sugjerimeve të pandehurit Avni Sinanaj, që të kalojnë nëpër fshatrat Hereq, Gramaqel, Dubrav, Gllogjan, dhe me të arritur tek ura që i lidh fshatrat Llukë e Prapaqan, i pandehuri Murat Sinanaj duke qenë i përgatitur, i zënë pritën, dhe me të kaluar viktima me veturë mbi urë, i pandehuri Murat Sinanaj, ka shtënë me armë automatike në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Fillimisht, në këtë rast ka qenë i akuzuar Gjon Pnishi, i cili ishte shpallur fajtor për këtë vrasje dhe ishte dënuar me 18 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Pejës, në qershor të vitit 2016.

Por, pas këtij dënimi, ai ka pranuar të bashkëpunojë me prokurorinë në lidhje me vrasjen e Ferdinand Gjinit, për çka edhe Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim, në shkurt të vitit 2017.

(Kosova Sot Online)