Vjen kërkesa: Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti të japin përgjegjësi për 300 mijë euro

  • 28 June 2019 - 17:52
Vjen kërkesa: Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti të japin përgjegjësi për 300 mijë euro

”Përgjegjësi për shpenzimin e mbi 300 mijë eurove patjetër që duhet të japi së pari qeveria Haradinaj, me theks të veçantë bashkëkryesuesit e këtij ekipi Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti”, tha analisti politik Albinot Maloku për “Kosova Sot Online”.

Pas rrëzimit të ekipit Negociator për bisedimet me Serbinë si pasojë e “tërmetit” që shkaktoi vendimi i Gjykatës Kushtetuese, sipas analistëve, një përgjegjësi urgjente që duhet të japin improvizatorët e kësaj krijese të kundërligjshme, është përgjegjësia për zhvatjen e shpejtë të 300 mijë eurove nga buxheti i shtetit në emër të nevojave të këtij ekipi. 

Sipas analistit politik, Albinot Maloku përgjegjësia dhe llogaridhënia peshon kryesisht mbi partnerët e koalicionit qeverisës, por në këtë rast edhe të opozitarve të PSD-së dhe kreut të këtij subjekti politik Shpend Ahmeti, i cili, kur ka interesa sillet si opozitar e kur e kërkon një interes tjetër, i mban “zhagun” qeverisë dhe krejt koalicionit.

Image
Albinot Maloku

Sipas tij, kjo u dëshmua edhe me bashkëngjitjen ne Ekipin për Bisedime për çka e morën ndëshkimin meritor nga Kushtetuesja.

“Mirëpo Buxheti është dëmtuar sepse të dy bashkëkryesuesit e Ekipit, Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj, në këtë ekip rehatuan militantët e tyre dhe zhvaten buxhetin. Që në krye të herës, themelimin e këtij Ekipi Negociator, e kam cilësuar jo të domosdoshëm e mbi të gjitha si rrjedhojë e pasojës, por jo të një kreativiteti për të ecur përpara me dialogun. U themelua me entuziazëm nga partnerët qeveritar e me mbështetjen e Partisë Social Demokratike, mbështetja e të cilës u pa si zgjatje e agonisë dhe jetës së qeverisjes aktuale, por jo si ndihmë të procesit të dialogut, gjithsesi të dështuar. Përgjegjësi për shpenzimin e mbi 300 mijë eurove patjetër që duhet të japi së pari qeveria Haradinaj, me theks të veçantë bashkëkryesuesit e këtij ekipi Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti”, tha Maloku për “Kosova Sot Online”.

Sipas Malokut, nuk ka mundur të ketë asnjë arsye tjetër përveç përfitimit material, vrapimi aq i shpejtë për ta ndërtuar këtë ekip dhe rehatuar në të militnatët partiakë. 

“Nuk e kuptojë sesi marrin yrysh kjo klasë politike për të krijuar situata juridiko-ligjore e kushtetuese të reja përderisa Kushtetuta aktuale ka rregulla strikte për kompetencat e pushtetmbajtësve. Kuvendi i Kosovës po ashtu ka një përgjegjësi nga se si ligjvënës që janë ata duhet së paku të njohin e ta lexojnë Kushtetutën e vendit e ta ndjekin atë duke mos rënë gjithmonë pre e partive politike e të liderëve të tyre. Qasja pa kurrizore e deputetëve rregullisht po na sjell në këso situata”, deklaroi analisti Maloku për “Kosova Sot Online”.

Sipas Malokut, ekipi që u krijua dhe votua nga Kuvendi nuk reflektoi asgjë më ndryshe se sa një rreth të ngushtë për përfitime materiale të familjarëve të drejtuesve të ekipit, prandaj që në fillim u vërejt interesi përfitues dhe jo serioziteti veprues për shtetin.

“Padyshim se edhe ky Ekip infiltrojë akraballëk familjar e politik brenda strukturës së vet dhe më vije keq që të “rehatuarit”e NISMA-së dhe PSD-së por edhe të AAK-së e PDK-së duhet të shkojnë në shtëpi. Për pa punën e tyre, që ishte e garantuar se do të dështonte formati e mënyra e organizimit të kësaj ad-hoc trupe politike, u shpenzuan hiq më pak se 300 mijë euro dhe rezultati është zero”, përfundoi Maloku për Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)