850 raste të pickimit të rriqrave në Malishevë

  • 29 June 2019 - 09:24
850 raste të pickimit të rriqrave në Malishevë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njoftoi se në vatrat endemike ka filluar pickimi i rriqrave që është paralajmërimi i parë për mundësinë e shfaqjes së sëmundjes.

Numri i të pickuarve ka arritur në 848 në komunën e Malishevës, 342 raste në komunën e Suharekës, 257 raste në komunën e Klinës dhe 125 në komunën e Rahovecit si pasojë e qëndrimit në livadhe të pa kositura, shkurre dhe stalla dhe veshmbathjes jo adekuate.

“Kujdesi duhet të jetë i madh nga qytetarët sepse nga pickimi tashmë një person është diagnostikuar me ethe hemorragjike me gjendje te përmirësuar klinike, i cili më pas është lëshuar në shtëpi. Aktualisht, asnjë person nuk është i hospitalizuar me ethe hemorragjike krime kongo”, njofton IKSHP.

IKSHP shtoi se tashmë ekipet profesionale po bëjnë repelimin e kafshëve.

Më poshtë lexoni rekomandimet e Institutit Kombëtar: 

1. Mos qëndroni gjatë dhe pa nevojë në livadhe dhe vende me shkurre,

2. Nëse patjetër duhet të jeni të pranishëm në këto vende vesh rroba të gjata dhe pantallonat futni në çorapë,

3. Duhet të përdorni preparate me të cila lyejmë pjesët e trupit të cilat i dëbojnë insektet nga trupi i njeriut e sidomos në pjesët e zbuluara të trupit, (shuplakat, qafën),

4. Kontrolloni trupin mos keni ndonjë rriqër gjatë qëndrimit në vatër,

5. Kontrolloni përsëri trupin pas largimit nga livadhi apo vendet me shkurre,

6. Nëse keni rriqër në trup ofrohuni në qendrën më të afërt mjekësore sa më shpejt,

7. Kositja e barit të bëhet në vazhdimësi (oborr dhe livadhe),

8. Pastrimi dhe dezinfektimi i stallave të bëhet në vazhdimësi,

9. Mbajtja e higjienës personale në nivelin më të lartë.

(Kosova Sot Online )