Arrestohen tre shoferë të autobusave, dalin detajet për tragjedinë në autostradën “Ibrahim Rugova”

  • 29 June 2019 - 11:40
Arrestohen tre shoferë të autobusave, dalin detajet për tragjedinë në autostradën “Ibrahim Rugova”

Arianit Bytyqi 26 vjeçar dhe Gentrit Gallopeni 20 vjeç, të dy kondukterë me profesion, kanë vdekur në orët e para të mëngjesit të sotëm pas rënies në një humnerë në autostradën “Ibrahim Rugova”. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka konstatuar se të rinjët vdiqën pasi dolën nga autobusi i ndalur jashtëligjshëm në autostradë.

Për humbjen e dy jetëve, me urdhër të prokurorit 3(tre) shoferë të autobusave të cilët janë ndalur në autostradë në kundershtim me ligjet e komunikacionit rrugor, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Image

Detaje se ku saktësisht ndodhi fatkeqësia:

“Me datë 29.06.2019 rreth orës 00:07 minuta  përmes Qendrës Rajonale të Komunikimit , Policia është informuar se në autostradën “Ibrahim Rugova” në segmentin Suharekë- Duhël  në afërsi të fshatin Sllapuzhan, dy persona  duke kaluar mbi  urën me nr. 11 në autostradë  duke kaluar  nga një trase në trasenë tjetër të autostradës kane rëne në humnere dhe me këtë rast si pasojë kanë gjetur vdekjen”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Policia tha se në momentin që viktimat kanë kaluar mburojën e trasesë së parë të autostradës dhe kanë tentuar të kalojnë në trasenë tjetër kanë rënë në humnerë pasi që hapësira në mes dy traseve është afër 3 metra.

Për pesë muaj në Kosovë (janar-maj 2019), në aksidente të rënda trafiku në cilësinë e shoferëve, pasagjerëve dhe këmbësorëve kanë vdekur 35 persona. Nga 5217 aksidente sa ndodhën në total gjatë kësaj kohe, janë lënduar 3569 persona.

Mijëra aksidente ndodhën gjysmën e parë të 2019-ës. Sa i përket aksidenteve me fatalitet ka më pakl viktima këtë vit krahasur me pesë mujorin e parë të 2018-ës. Vjet për pesë muaj vdiqën në komunikacion 42 persona, këtë vit 35, apo 7 më pak, tha policia në statistikat e dhëna.

Për shkelësit e rregullave të komunikacionit policia ka shqiptuar mbi 170.300 mijë tiketa trafiku.

Në statistikat e Policisë së Kosovë, bëhet e ditur se gjatë periudhës janar-maj 2019 kanë ndodhur 29 aksidente fatale në të cilat jetën e kanë humbur 35 persona. 1924 aksidente me lënime, në të cilat lëndime trupore kanë pësuar 3569 persona dhe 3264 aksidente me dëme materiale.

“Në total kanë ndodhur 5217 aksidente”, tha policia. 

(Kosova Sot Online)