Dy të rinjtë dyshohet se vdiqën derisa provuan ta kalojnë hapësirën 3 metërshe që ndan autostradën

  • 29 June 2019 - 12:47
Dy të rinjtë dyshohet se vdiqën derisa provuan ta kalojnë hapësirën 3 metërshe që ndan autostradën

Arianit Bytyqi dhe Gentrit Gallopeni janë dy të rinjtë që humbën jetën në autostradën “Ibrahim Rugova”, në orët e para të mëngjesit. Ata dyshohet se vdiqën derisa provuan që të kalojnë hapësirën 3 metërshe që ndan autostradën. Për vdekjen e tyre ka njoftuar edhe agjencia “Sharr Travel”, të cilët u kanë shprehur ngushëllime familjarëve.

Në orët e para të mëngjesit dy punëtorë të një kompanie që ofron shërbime udhëtimi brenda dhe jashtë Kosovës kanë rënë në humnerë derisa po tentonin që të kalonin nga njëra trase në tjetrën në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Arianit Bytyqi dhe Gentrit Gallopeni dyshohet se vdiqën derisa provuan ta kalonin hapësirën 3 metërshe në mes të dy traseve, duke rënë në humnerë.

“Në momentin që kanë kaluar mburojën e trasesë së parë të autostradës dhe duke tentuar të kalojnë në trasenë tjetër  kanë rënë në humnere pasi që hapësira në mes dy traseve është afër 3m. Viktimat kanë qenë punëtor të kompanisë së udhëtimeve ( konduktor)”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka konstatuar se dy personat vdiqën pasi dolën nga autobusi i ndalur jashtëligjshëm në autostradë. 

Me urdhër të prokurorit 3(tre) shoferë të autobusave të cilët janë ndalur në autostradë në kundërshtim me ligjet e komunikacionit rrugor, janë ndaluar në mbajtje për 48 orë.

“Pas konsultimeve me Prokurorinë e Krimeve të Rënda është konstatuar se si pasoje e ndaljes se autobusëve në autostradë e qe bie në kundërshtim me ligjet në fuqi kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm me pasoje vdekjen pasi që dy viktimat kanë dal nga autobusët”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Për vdekjen e dy të rinjëve ka reaguar edhe kompania ku ata ishin të punësuar.

Përmes një postimi në Facebook, Sharr Travel ka shprehur ka njoftuar për vdekjen e dy punëtorëve dhe u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe miqve të viktimave.

“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë që dy punëtorët e agjencisë tonë Arianit Bytyqi dhe Gentrit Gallopeni kanë ndërruar jetë pas një fatkeqësie . Ngushëllime për familjet, miqtë dhe stafin.

(Kosova Sot Online)