Vjen akuza e rëndë: Devollët kanë blerë edhe deputetët, ja dëshmia...

  • 30 June 2019 - 07:52
Vjen akuza e rëndë: Devollët kanë blerë edhe deputetët, ja dëshmia...

“Mungesa e deputetëve në momentin kur duhej të votoheshin konkluzat dhe vendimi i seancës, flet qartë se Devollët përveç partive politike kanë blerë edhe shumicën e deputetëve të kësaj legjislature të kuvendit”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Edhe përkundër faktit që seanca e Kuvendit të Kosovës e ftuar si e jashtëzakonshme për t’i dhënë fund monopolit të Devollëve në fushën e homologimit, është pritur me shumë optimizëm pozitiv nga qytetarët dhe njohësit e zhvillimeve politike, epilogu i saj ishte një epilog i turpit të radhës ngase Ligjvënësit nuk arritën ta përmbyllin atë me vendim marrjen e synuar.

Image

Sipas analistit politik, Florim Zeqa kjo dëshmoi sa e kapur është politika nga krimi ngase vërtetë Devollët kanë blerë shumicën e partive politike.

“Dështimi në mënyrën më të turpshme të mundshme i Seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të cilën deputetët e opozitës e kishin thirrur për të debatuar dhe marr vendim për ndërprerjen monopolit në e homologimin e veturave në Kosovë, përkatësisht të anulimit të kontratës së monopolit në homologim të Devollëve, është dëshmia më e mirë se monopoli në homologim është krim i pastër i organizuar dhe i orkestruar nga nivelet e larta qeveritare dhe parlamentare, edhe kuvendi. Për më tepër se kaq, dështimi në votim, përkatësisht mungesa e deputetëve në momentin kur duhej të votoheshin konkluzat dhe vendimi i seancës, flet qartë se Devollët përveç partive politike kanë blerë edhe shumicën e deputetëve të kësaj legjislature të kuvendit”, tha Zeqa për “Kosova “Sot Online”.

Sipas tij, kjo situatë është e tillë në mesin e deputetëve, pasi që Kuvendi i Kosovës me deputetë të shitur dhe kontrabanduar është bërë arenë e turpit, ku shitet patriotizëm dhe zhvillohen debate të zjarrta për mashtrim të qytetarëve të pa informuar sa duhet.

“Kurse të njëjtit (deputetët) gjithnjë mungojnë në marrjen e vendimeve meritore që ndryshojnë jetën dhe realitetin e zymtë të qytetarëve të këtij vendi të varfër e të pa shpresë. Me dështimin skandaloz, gjegjësisht mbylljen e turpshme të Seancës së jashtëzakonshme për homologim, e cila kishte të bënte drejtpërdrejt me interesin e qytetarëve, deputetët e kanë humbur në tërësi besimin e qytetarëve të Kosovës, për shkak se qytetarët nuk janë aq naiv dhe të pakujdesshëm siç janë deputetët e kuvendit, të cilët kur janë në pyetje interesat e tyre (për rritje pagash apo beneficione tjera) bëhen bashkë dhe unifikojnë qëndrimet e tyre, ndërsa kur është në pyetje interesi i qytetarëve si në rastin e homologimit, bëhen sikur nuk merren vesh mes tyre, bëjnë debate të kota për orë të tëra dhe këmbejnë akuza të ndërsjella duke u thirrur e shtirur në emrin e qytetarëve”, deklaroi analisti Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sidoqoftë, ai thotë se është mirë që kjo legjislaturë e kuvendit më e dobëta në historinë e re të Kosovës po shkon drejt fundit.

“Qytetarët duhet ta ndëshkojnë pamëshirshëm kastën aktuale politike, pozitë dhe opozitë pa dallim, për shkak se deputetët e legjislaturës aktuale përafërsisht janë bërë të njëjtë, interes gjinj e lakmitar, shiten e blihen sikurse bagëtia në treg nga mafio-oligarkët ekonomik dhe dirigjohen me "pilot" nga liderët partiakë për (mos) votimin e nismave dhe ligjeve që prekin interesat meskine të tyre’, përfundoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)