Trump shkon në kufirin mes dy Koreve për t’u takuar me Kim Jong-unin

  • 30 June 2019 - 08:14
Trump shkon në kufirin mes dy Koreve për t’u takuar me Kim Jong-unin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka konfirmuar se do të takohet me liderin e Koresë Veriore, Kim Jong-un, në zonën e çarmatosur kufitare mes Koresë Veriore dhe Koresë Jugore.

Takimi i pashembullt në zonën e çarmatosur vjen pas postimit të presidentit amerikan në Twitter, ku kishte thënë se ia ka bërë një ftesë spontane për Kim Jong-unin. Përndryshe, presidenti i Koresë Jugore, Moon Jae-in,  tha se ata do ta bëjnë një shtrëngim duarsh për paqe.

Në anën tjetër, zyrtarët e Koresë Veriore ende nuk kanë dhënë komente për këtë takim. Ky takim pritet t’i ngjallë shpresat për fillimin e bisedimeve për armët bërthamore të vendit komunist.

Takimi i planifikuar për të dielën do të jetë i treti brenda një periudhe pak më të gjatë se një vit dhe i pari që nga samiti i dështuar i Vietnamit në muajin shkurt.

Gjatë një konference për gazetarë në Seul të Koresë Jugore, Trump tha se ai dhe lideri i Koresë së Veriut e kanë ndërtuar një marrëdhënie shumë të mirë dhe mezi pret ta takojë atë përsëri.

“Takimi do të jetë shumë i shkurtër, praktikisht një shtrëngim duarsh, por kjo është në rregull. Një shtrëngim duarsh do të thotë shumë”, tha ai.

Përndryshe, asnjë president i Shteteve të Bashkuara nuk e ka vizituar zonën e çarmatosur kufitare mes dy Koreve, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)