Abuzimi me buxhetin, kërkohet përgjegjësi dhe llogaridhënie nga Ekipi Negociator

  • 01 July 2019 - 08:06
Abuzimi me buxhetin, kërkohet përgjegjësi dhe llogaridhënie nga Ekipi Negociator

“Natyrisht që pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për jo legjitimitetin e këtij trupi të ashtuquajtur delegacion shtetëror për dialog me Serbinë, duhet të përcillet me një llogaridhënie për mënyrën e shpenzimit të buxhetit të ndarë nga qeveria e Kosovës,” tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Pas shpërbërjes së Ekipit negociator për bisedimet me Serbinë si pasojë e vendimit nga Gjykata Kushtetuese, analisti politik, Nexhat Haziri kërkon që të adresohet edhe përgjegjësia për buxhetin e shpenzuar. Sipas tij, derisa ekipi ka qenë i kundërligjshëm dhe kundër kushtetues, atëherë shpenzimet e bëra në emër të këtij Ekipi janë abuzim i pastër me buxhetin.

Analisti, Nexhat Haziri thotë për “Kosova Sot Online” se kjo ndeshje me ligjin është dituar që nga fillimi i krijimit dhe votimit në Kuvend të këtij ekipi, prandaj përgjegjësia vetëm sa u konfirmua nga Gjykata Kushtetuese dhe tani duhet të pason llogaridhënia para ligjit.

Image
Nexhat Haziri

“Qysh në fillim e kemi thënë se ky i ashtuquajtur Ekipi Negociator, dhe delegacion shtetëror për dialog me Serbinë, ishte antikushtetues dhe formimi i tij ishte vetëm sa për ti rehatuar disa nga të afërmit e eksponentëve politik dhe për tu promovuar në aspektin ndërkombëtar disa figura politike të kompromentuara, qoftë ato me dyshime për krime lufte e disa edhe për korrupsion’, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Prandaj tani sipas Hazirit, është koha e llogaridhënies për këtë abuzim të vërtetuar nga Gjykata.

“Natyrisht që pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për jo legjitimitetin e këtij trupi të ashtuquajtur delegacion shtetëror për dialog me Serbinë, duhet të përcillet me një llogaridhënie për mënyrën e shpenzimit të buxhetit të ndarë nga qeveria e Kosovës, për kriteret e të emëruarve dhe të punësuarve në këtë trup, deri te shpërndarja e Kuvendit dhe dorëheqja e qeverisë, pasi vendimi i kushtetueses i ka nxjerrë të dyja institucionet si shkelëse të Kushtetutës së vendit”, përfundoi për “Kosova Sot Online”, analisti politik, Nexhat Haziri.

(Kosova Sot Online)