Vjen akuza e rëndë për drejtësinë kosovare: Është mburojë e fuqishme e krimit të organizuar

  • 01 July 2019 - 08:11
Vjen akuza e rëndë për drejtësinë kosovare: Është mburojë e fuqishme e krimit të organizuar

“Nëse thuhet se sot prokuroria, gjyqësia, policia, dhe inteligjenca në vend se ta mbrojnë ligjin dhe ta mbrojnë Kosovën nga keqbërësit, këto janë bërë mburojë apo avokat i krimit të organizuar dhe politikanëve të korruptuar nuk gabojmë fare, prandaj edhe populli i jonë dhe vendi jonë- shteti po humbin kohën kot sa përket pritjes për liberalizimin e vizave ”, tha Miftari për “Kosova Sot Online”.

Ditë më parë, Instituti i Kosovës për drejtësi- IKD, ka bërë të ditur se Institucionet e drejtësisë vetëm po e mashtrojnë popullin në emër të vizave.

E njohësit e fushës së sundimit të ligjit po i shohin me shumë dyshime të gjitha lëvizjet e fundit që po i bënë Prokuroria e Kosovës dhe gjyqësori, kinse për angazhimin më serioz në luftimin e krimit dhe të korrupsionit pas kritikave të ashpra të ndërkombëtareve.

Ish agjenti i SHIK-ut, dhe njohësi i fushës së sigurisë, Naim Miftari thotë se vlerësimet janë negative për faktin se institucionet e drejtësisë në Kosovë janë institucionet më të kapura nga krimi i organizuar që vjen nga politika.

Image
Naim Miftari

“Nëse thuhet se sot prokuroria, gjyqësia, policia, dhe inteligjenca në vend se ta mbrojnë ligjin dhe ta mbrojnë Kosovën nga keqbërësit, këto janë bërë mburojë apo avokat i krimit të organizuar dhe politikanëve të korruptuar nuk gabojmë fare. Prandaj edhe populli i jonë dhe vendi jonë- shteti po humbin kohën kot sa përket pritjes për liberalizimin e vizave ”, tha Miftari për “Kosova Sot Online”.

Sipas Miftarit, derisa Kosova do ta fitojë liberalizimin e vizave, Evropa po futet në një proces tjetër të dezintegrimit te zonës Shengen.

Ai thotë se koha është që të ndryshojë kursi që Kosova të zhvillohet ekonomikisht, ta luftojë krimin dhe korrupsionin dhe qytetarët të mos synojnë largimin e tyre nga vendi në pritje të heqjes së vizave, por vetëm me kontrata të rregullta pune për të parandaluar zbrazjen e shtetit.

“Kosova duhet të fokusohet në zhvillim dhe bashkëpunim ekomomik dhe politik me shtetet e zhvilluara si Gjermania, Zvicra, Austria dhe Britania. Kosova duhet ta ndërpres praktikën duke e gënjyer vetveten me shpresa për integrim në BE duke i pranuar kushtet nga BE disa nga të cilat janë edhe në dëmin tonë, sikur që ishte rasti kur u detyruam për të falur territore ndaj shteteve fqinje kurse doli që BE-ja na ka gënjyer së bashku me kryetarin e shtetit Hashim Thaçin, të cilit ju bashkëngjitën edhe të tjerët varg e vi si Haradinaj, Limaj, Mustafa, Pacolli, Ahmeti e shumë të tjerë që sot janë pasuruar për vete e janë bërë milionera të krimit e të korrupsionit”, deklaroi Miftari për “Kosova Sot Online”.

Sipas Miftarit, Kosova duhet të instalojë një klasë të re politike e cila nuk vazhdon me mashtrime pa ndërprerë për liberalizim vizash por që fokusohet në zhvillim dhe sundim të vërtetë të ligjit, duke i dërguar të gjithë të korruptuarit atje ku e meritojnë, në vurg dhe konfiskim të pasurisë së fituar kundërligjshëm.

“Kosovës i duhen organe të shtetit të së drejtë, organe të pastra që e mbrojnë vetëm ligjin e jo ti mbroj politikanët e korruptuar dhe super të pasur në vendin më të varfër dhe të izoluar në Evropë. Kosova duhet ta pastron shtetin nga mafia e politikanëve kriminelë dhe të korruptuar, duhet ti kthehet sundimit të ligjit. Vetëm nëse ne funksionojmë taman si duhet si shtet asnjë institucion ndërkombëtar dhe shtet i zhvilluar nuk do ti thotë Kosovës JO në proceset e integrimeve më të gjera strategjike ndërkombëtare”, përfundoi Miftari për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)