Abuzimet e mëdha me buxhetin, shpërthen profesori i njohur

  • 01 July 2019 - 08:12
Abuzimet e mëdha me buxhetin, shpërthen profesori i njohur

“Për të qenë e keqja edhe më e madhe abuzimet edhe në subvencionime, praktikisht herë pas here konstatohen, publikohen dhe mbulohen me pluhurin e harresës në vend të persekutimeve penale të shpërdoruesve e të manipulatorëve me autorizime zyrtare”, tha Smaka për “Kosova Sot Online”.

Një nga segmentet e keqpërdorimit të buxhetit të shtetit të Kosovës, që asnjëherë nuk është ndëshkuar deri më sot nga institucionet e drejtësisë, është fenomeni i vjedhjes së buxhetit të shtetit nga vetë drejtuesit e ministrive përkatëse në qeverinë e Kosovës nëpërmes të të ashtuquajturave politika ekonomike të subvencionimit të bizneseve për interes zhvillimor të vendit.

Një skandal të madh të kësaj natyre që e ka zbuluar Raporti i Auditorit për 2018 e hasim tek Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësish, Ministri kjo që ka subvencionuar një frizere me taksat e qytetarëve të Kosovës.

Së ky është një rast i abuzimit klasik të buxhetit në një rast të tillë, që do të duhej hetuar dhe ndjekur nga drejtësia, e thotë edhe profesori i së drejtës, Riza Smaka, sipas të cilit edhe vetë kjo ministri për nga nevoja e krijimit dhe përgjegjësit që i janë adresuar, nuk është gjë tjetër veç se një produkt fantomë i partisë politike në koalicionin qeverisës për të zhvatur buxhetin e shtetit.

Image
Riza Smaka

“Së pari "Ministria për Inovacione e Ndërmarrësi" është një nga ministritë fantome, krejtësisht të pa nevojshme e barrë për buxhetin e vendit, e cila si e tillë është e trilluar për kombinatorika politike të interesit. Ajo ministri sikundër edhe jo pak të tjera, janë krijesa artificiale për hir të krijimit të komoditeteve funksionale të partive politike në koalicion qeveritar e të cilat në shtete normale të së drejtës do të mund të substituoheshin me departmente administrative, drejtori madje edhe me shërbime administrative”, tha Smaka për “Kosova Sot Online”.

Mirëpo qëllimi kryesor sipas tij, është abuzimi që ndodhë përmes këtyre krijesave fantome , pasi auditori gjeneral asnjëherë nuk rekomandon ndjekje për shkeljet të cilat i evidenton nëpër këto ministri të interesit puro kriminal politik.

“Më pastaj abuzimet edhe me subvencione evidente edhe nga raporte zyrtare të Auditorit të cilat mjerisht nuk prodhojnë efekte juridike konkrete ndikojnë edhe në keqpërdorime të mjeteve financiare të tatimpaguesve në një anë dhe nuk stimulojnë veprimtari krijuese në anën tjetër. Për të qenë e keqja edhe më e madhe abuzimet edhe në subvencionime , praktikisht herë pas here konstatohen, publikohen dhe mbulohen me pluhurin e harresës në vend të persekutimeve penale të shpërdoruesve e të manipulatorëve me autorizime zyrtare”, tha profesori i së drejtës, Riza Smaka për “Kosova Sot Online”.

Përgjegjës për mos ndjekje të këtyre shpërdorimeve, edhe në rastin konkret të bërë publik në ministrinë përkatëse, Smaka e bënë zinxhirin jo funksional të sundimit të ligjit.

“Kjo e fundit është pasojë e funksionimit të dobët të linkut, (lidhjes) polici financiare, prokurori dhe përfundimisht gjykata!Ndryshe qytetarët janë të informuar me plotë të drejtë me këso e me shumë abuzime të natyrave e rasteve më se të ndryshme dhe të njëjtat i gjykon me neveri e dëshpërime serioze”, përfundoi profesor Smaka për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online).