Kurti: Gjykata i nxori antikushtetues, Thaçi e Haradinaj të japin dorëheqje

  • 01 July 2019 - 11:29
Kurti: Gjykata i nxori antikushtetues, Thaçi e Haradinaj të japin dorëheqje

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, thotë se koalicioni qeverisës PAN, ka shkelur Kushtetutën qysh nga kalimi i ligjit special për dialogun me Serbinë. Kurti thotë se origjina e shkeljes së Kushtetutës duhet të bëhet përmes dy premisave politike që sipas tij duhet t’i ketë pasur formimi i PAN’it. Ai kërkon që të bëhet ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi dhe dialogu me Serbinë t’i lihet presidentit, ndërkaq thotë se Haradinaj dhe Thaçi duhet të japin dorëheqje

Kurti përmes një statusi në Facebook thotë se i gjithë pështjellimi me delegacionin shtetëror dhe ligjin për dialog është bërë pasi kryeministri Ramush Haradinaj nuk ka guxuar ta shkelë ujdinë me Presidentin Hashim Thaçi. 

“I gjithë pështjellimi me ‘delegacionin shtetëror’ të PAN-it dhe ‘ligjin për dialog’ të tyre, ngjau për shkak se kryeministri nuk guxonte ta shkelte ujdinë me presidentin. Ai refuzoi ta votojë rezolutën e dy partive tona opozitare e cila e ndalte dhe ndalonte presidentin në aventurën e tij për pazare me Serbinë. Kjo është fjalia e 31 tetorit 2018 e mocionit tonë të cilën nuk e voton dot kryeministri: “Territori i Republikës së Kosovës është një dhe i pandashëm dhe as Presidenti, e askush tjetër, nuk ka mandat të negociojë për territorin e Republikës së Kosovës.””, shkruan Kurti.

Kurti tutje thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ku e shpalli antikushtetues Ekipin Negociator e ka shpartalluar manovrimin e Kryeministrit dhe arbitraritetin e Presidentit.

“I nxori që të dy antikushtetues. Ligji i tyre special ka rënë në përmbajtje. PAN-i me gjithë patericën e vet ka ndërhyrë në hierarkinë dhe në kompetencat institucionale. Ka sulmuar rendin republikan dhe frymën demokratike të shtetit. Kjo është shumë e rëndë. Andaj, si kryeministri, ashtu edhe presidenti, duhet të japin dorëheqje. Gjykata Kushtetuese praktikisht i akuzon të gjithë ‘specialcat’ e ligjit për dialog me Serbinë për tentim puçi ndaj republikës dhe rregullimit të brendshëm të saj”, thekson Kurti.

Ndërkaq Kurti thotë se Haradinaj e Thaçi i kanë shkelur së paku 9 paragrafë të 5 neneve të Kushtetutës së Kosovës. 

“Pra, kanë shkelur formën e qeverisjes, ndarjen e pushtetit dhe vlerat e shtetit, si dhe kanë shkelur kompetencat e kuvendit, të qeverisë e të kryeministrit. Thua se janë kujdesur që shkeljen ta kenë sa më konceptuale dhe sa më inkluzive! Madje, Gjykata Kushtetuese nuk ka hedhur poshtë as kritikat e kundërshtimet tjera opozitare, duke sqaruar se nuk do të merret me shkeljet e pretenduara të nenit 2 [Sovraniteti], nenit 18 [Ratifikimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare] dhe nenit 20 [Bartja e Sovranitetit] “Meqenëse Ligji në tërësi është shpallur i papajtueshëm me Kushtetutën””, shkruan Kurti.

Kurti thotë se delegacioni shtetëror ka udhëtuar kot për në Bruksel dhe kanë mbajtur takime sekrete.

“I vetëquajturi ‘delegacion shtetëror’ më 15 dhjetor 2018 pat kaluar me 59 vota PËR. I ashtuquajturi ‘ligj për dialogun’ më 7 mars 2019 pat kaluar me 58 vota PËR. Pra, asnjëri s’i kishin as shumicën e deputetëve të Kuvendit. Ndërkohë udhëtuan nja dy herë kot për Bruksel dhe nuk i ndalën takimet ‘sekrete’ me Serbinë as të Avni Arifit se lëre më të Hashim Thaçit. Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ishte veçse gozhdë në arkivolin e një delegacioni që do të kujtohet si ëndërr e keqe”, shkruan tutje Kurti.

(Kosova Sot Online)