Punëtorët e Lotarisë së Kosovës me protestë kërkojnë miratimin e Ligjit

  • 01 July 2019 - 11:58
Punëtorët e Lotarisë së Kosovës me protestë kërkojnë miratimin e Ligjit

Punëtorët e Lotarisë së Kosovës kanë mbajtur një protestë para ndërtesës së Qeverisë, ku kanë kërkuar miratimin e Ligjit për Lotarinë e Kosovës.

Disa nga protestuesit kanë mbajtur në duar pankarte të shkruara “Qeveria Pronare”, “Punëtorët në Rrugë” dhe “Mbajeni Premtimin, Miratojeni Ligjin”.

Anëtari i Kryesisë së Sindikatës së Lotarisë, Ismet Kuka, ka thënë se kërkojnë që sa më shpejt të bëhet votimi i Ligjit për Lotarinë. Ai ka bërë të ditur se nuk do të ndalen me protesta deri në realizimin e kërkesave të tyre. 

“Arsyeja që kemi dal është që të bëhet sa me shpejt votimi i ligjit. Kemi bërë kërkesa me shkrim, por askush s’na ka pranuar dhe mundësia e fundit ishte të dalim dhe të protestojmë. Prej shfuqizimit të ligjit asnjë hap nuk është ndërmarrë. Ne do të vazhdojmë me protesta, nuk do të ndalemi. Dëmet janë shumë të mëdha, prej kur është mbyll kemi obligime edhe ndaj lokaleve që i kemi pasur me qira”.

Kujtojmë se pas ndalimit të lojërave të fatit sipas ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës në seancën e mbajtur me datë 28 mars të këtij viti, ku janë përfshirë edhe lojërat e lotarisë, Lotaria e Kosovës e ka ndërprerë veprimtarinë e saj.

Nga ajo kohë e deri më sot nuk është marrë asnjë iniciativë për hartimin e ligjit të veçantë për Lotarinë e Kosovë, ashtu siç është premtuar.

(Kosova Sot Online)