Si ndodhi aksidenti që u mori jetën dy grave, rëndë një fëmijë...

  • 01 July 2019 - 14:00
Si ndodhi aksidenti që u mori jetën dy grave, rëndë një fëmijë...

Detaje te reja nga aksidenti i rende ne Korce, ku drejtuesi i fuoristradës mori përpara kalimtarët dhe ka te vdekura dy gra dhe në gjendje të rëndë një fëmijë. Aksidenti i rëndë ndodhi mbrëmjen e së dielës në aksin rrugor Kapshticë-Korçë, në afërsi të Kapshticës.

Një automjet tip fuoristradë “Benz ML” ka marrë përpara tre kalimtarë. Nga përplasja e fortë, dy prej tyre kanë ndërruar jetë në vend, kurse një tjetër ndodhet në gjendje kritike për jetën në spital.

Viktima kanë mbetur, Anjeza Goni, 32 vjeçe dhe Valmira Çuko, 34 vjeçe, ndërsa mosha dhe identiteti i fëmijës që ndodhet në gjendje të rënë nuk dihet. Dy gratë kanë qenë duke kaluar nga një krah i rrugës në tjetrin, kur janë përplasur nga automjeti që udhëtonte nga Kapshtica për në qytetin e Korçës.

Përplasja ka qenë fatale për gratë, ndërsa fëmija ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Korçës. Sipas Policisë, drejtuesi i mjetit, shtetasi me iniciale O.B., 47 vjeç, ka qenë i dehur në timon. 47-vjeçari, agjent doganor, është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Korçës deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes së rëndë me dy viktima. 

“Më datë 30.06.2019 jemi njoftuar se në aksin rrugor Korçë-Kapshticë, pranë fshatit Kapshticë, mjeti tip ‘ML’ me drejtues shtetasin O.B., 47 vjeç, ka aksidentuar tre kalimtarë në rrugë, konkretisht: shtetasen A.G., 32 vjeçe, shtetasen V.Ç., 34 vjeçe, banuese në Kapshticë, si edhe një fëmijë ende i paidentifikuar, ku për pasojë kanë gjetur vdekjen dy shtetaset dhe është transportuar fëmija në gjendje të rëndë shëndetësore drejt spitalit të Korçës. Drejtuesi i mjetit, shtetasi O.B., është shoqëruar në ambientet e Komisariatit, ku pas kryerjes së testit të alkoolit rezultoi se e drejtonte mjetin në gjendje të dehur në masën 0.82 mg/l”, bëhet e ditur nga Policia.

Ndërkohë që Policia dhe Prokuroria po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, nga hetimet paraprake rezulton se drejtuesi i automjetit përveçse në gjendje të dehur, ka qenë duke udhëtuar me shpejtësi të madhe në momentin e aksidentit.

Aksi rrugor Kapshticë-Korçë nuk ka ndriçim dhe kjo ka bërë që drejtuesi, përveç faktorëve të tjerë, të mos i shohë kalimtarët në momentin kur ishin duke kaluar nga një krah i rrugës në tjetrin duke i marrë përpara me makinën e tij.

(Kosova Sot Online)