“Ti je Klevi?”, si u ekzekutua 22 vjeçari, kishte pak kohë që ishte liruar nga burgu. Vëllai tregoi se…

  • 02 July 2019 - 10:43
“Ti je Klevi?”, si u ekzekutua 22 vjeçari, kishte pak kohë që ishte liruar nga burgu. Vëllai tregoi se…

I riu qe u ekzekutua ne atentat nderkohe qe ishte ne shoqerine e te vellait, sapo ishte kthyer nga Italia. Një vrasje si nëpër filma mund të konsiderohet ngjarja ku mbeti i vdekur Klevin Baho.

Ngjarja ka tronditur familjen dhe të afërmit e tij, por më shumë vëllain e tij, i cili ka parë gjithçka. Atentati ka ndodhur rreth orës 00:45 të natës në fshatin Murras të Elbasanit. Klevini, sipas të dhënave të marra nga familjarët e tij, ka qenë duke ecur buzë rrugës nacionale të fshatit.

Ai ka qenë duke shkuar në shtëpi pas qëndrimit në një lokal të zonës. Në momentin që ka qenë duke ecur, shumë pranë një pike karburanti, atij i ka dalë përpara një person duke iu drejtuar me fjalët: “Ti je Klevi?” 22-vjeçari ka ditur të manovrojë duke i thënë “jo” dhe është larguar.

Për mosnjohjen e tij, ka shërbyer dhe një kapele që i riu kishte nisur të mbante në kokë kohët e fundit. Pasi ka përshkruar një distancë, i ka telefonuar vëllait të tij për ndihmë dhe ky i fundit ka shkuar menjëherë në vendin ku ndodhej me makinë. Por rrugës, duke shkuar në banesën e tyre, ata janë ndjekur nga një mjet. 

Pasi janë afruar, autorët kanë qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të makinë tip “Audi”, ku gjendeshin dy vëllezërit. Ende nuk është e qartë pse Aleksandri ka ndaluar mjetin dhe vëllai i tij për t’u shpëtuar plumbave ka dalë nga mjeti në tentativën për t’u fshehur. Kanë qenë familjarët dhe banorët e fshatit që kanë dalë jashtë, pasi kanë dëgjuar të shtënat e armës.

Ata kanë identifikuar 30-vjeçarin shumë pranë derës së mjetit të plagosur dhe e kanë nisur direkt në Spitalin Rajonal të Elbasanit. Me shenja jete është gjetur edhe Klevini, i shtrirë dhe i plagosur rëndë poshtë një ure. Por, gjatë transportimit për në spital, 22- vjeçari ndërroi jetë.

Të gjithë ngjarjen dyshohet se e ka rrëfyer për Policinë vëllai i madh, i cili, sipas mjekëve të spitalit, ka marrë tre plumba në pjesën e shpatullës, por që ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po mbahet në kujdes intensiv nga mjekët. Edhe pse Policia nuk jep detaje rreth vrasjes, mësohet se shkaku mund të ketë qenë për larje hesapesh.

Klevini kishte pak kohë që ishte kthyer nga Italia, pasi kishte dalë nga burgu atje. Prita që i kanë zënë dy vëllezërve ka qenë e mirorganizuar nga ana e autorëve, të cilët, siç duket edhe nga ngjarja, e donin të vdekur një nga viktimat.

Policia ka nisur hetimet për të zbardhur aktivitetin e dy vëllezërve në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Pas marrjes së njoftimit, forcat e Policisë ngritën postblloqe kontrolli në të gjitha rrugëkalimet për të identifikuar dhe kapur autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje. Dyshimet e para nga ana a Policisë bëjnë të ditur se autorët, të cilët mund të kenë qenë më shumë se dy, nuk janë nga Elbasani.

(Kosova Sot Online)