Anëtarësimi i plotfuqishëm në Aleancë deri në fund të këtij viti

  • 03 July 2019 - 10:43
Anëtarësimi i plotfuqishëm në Aleancë deri në fund të këtij viti

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi dje ka realizuar takim me zv/sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Antonio Missiroli.

Siç thuhet në kumtesën e publikuar nga Kuvendi, Xhaferi ka shprehur bindjen se me këtë dinamikë të nënshkrimit të protokolleve nga parlamentet e vendeve anëtare të NATO-s, pritet që finalizimi i procesit për anëtarësim të plotfuqishëm të përfundohet deri në fund të këtij viti.

“Kryetari Xhaferi shprehu pritjen se në këtë procedurë të ndërlikuar do të kemi ndihmë profesionale dhe teknike dhe mbështetje nga strukturat e specializuara të NATO-s, por edhe nga vetë vendet-anëtare të NATO-s, si në mbrojtjen e sistemeve të sigurisë, ashtu edhe në aspektin e koordinimit”, thuhet në kumtesë. 

Missiroli gjatë takimit shprehu kënaqësi nga arritjet e deritanishme të Republikës së Maqedonisë së Veriut në planin e integrimit euroatlantik, qëndron në kumtesë, ku Missiroli citohet të ketë thënë se “kilometri i fundit i maratonës është veç më i filluar dhe shihet rezultati final – anëtarësimi i plotfuqishëm në Aleancë deri në fund të këtij viti”.

Përfaqësuesi i lartë i NATO-s ka shprehur edhe pritjen se në tetor do të ndahet data për fillimin e procesit të negociatave me Bashkimin Evropian (BE), me çka vendi do t’i rrumbullakojë proceset shumëdekadëshe integruese në BE dhe në NATO.

Përpos kryeparlamentarit Xhaferi, zv/sekretari i përgjithshëm të NATO-s ka realizuar takime edhe me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.

(Kosova Sot Online)