Pacolli e Cakaj e kopjuan Bushatin e Hoxhajn me marrëveshjen e djeshme

  • 03 July 2019 - 11:22
Pacolli e Cakaj e kopjuan Bushatin e Hoxhajn me marrëveshjen e djeshme

Që nga shtatori i vitit 2017, kreu i AKR-së i cili mbanë edhe postin e Ministrit të Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli, nuk ka arritur që t’ia sjellë asnjë njohje të re shtetit të Kosovës.

Gjatë këtyre dy viteve atij i ka rënë hise vetëm që të demantojë Serbinë dhe pretendimet e Ivica Daçiqit se si disa shtete po i tërheqin njohjet për pavarësinë e Kosovës.

E duke qenë se nuk ka pasur ndonjë arritje në aspektin e njohjeve, Pacolli dje i ka bërë marketing një marrëveshje të nënshkruar me homologun e tij, Gent Cakajn, të cilën e ka quajtur historike e që ka për qëllim forcimin e diplomacisë shqiptare dhe politikën e jashtme të Kosovës dhe Shqipërisë.

Por një marrëveshje e tillë del të jetë e kopjuar, pasi të njëjtën e kishte nënshkruar Enver Hoxhaj e Ditmir Bushati në marsin e vitit 2014, kur të dy mbanin pozitat e ministrave të Jashtëm.

Hoxhaj e Bushati kishin nënshkruar një marrëveshje për krijimin e Konsullatave të përbashkëta Kosovë-Shqipëri, në Itali e Australi.

Në njoftimin e djeshëm Pacolli madje lënë të kuptohet që s’ka qenë fare në dijeni se një marrëveshje e tillë e më hershme ishte nënshkruar mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke thënë se kjo marrëveshje është historike, pasi që pas 11 vjet pavarësi do të afrojë bashkëpunimin diplomatik të Tiranës e Prishtinës.

“Jashtëzakonisht i lumtur që sot në Tiranë ne kemi nënshkruar marrëveshjen historike për bashkëpunim strategjik mes Ministrive të Punëve të Jashtme që do të bashkojnë dhe afrojë pas 11 vjet pavarësie bashkëpunimin diplomatik të Kosovës dhe Shqipërisë. Ne synojmë të zhvillojmë një politikë të bashkërenduar në fushat strategjike të rëndësisë kombëtare në politikën e jashtme. Kosova dhe Shqipëria do të bashkërendojnë nga afër politiken e jashtme, do të krijojnë misione të përbashkëta diplomatike dhe do të ndajnë stafin dhe përvojën për zbatimin e interesave tona kombëtare. Ky është një hap i madh përpara për të ardhur së bashku në skenën botërore dhe për të vepruar si një komb”, ka shkruar Pacolli.

Për marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2014, Kosova dhe Shqipëria fillimisht ishin marrë vesh që përfaqësimin e përbashkët konsullor ta implementonin përmes konsullatave në Milano dhe Kanberra të Australisë.

Pas nënshkrimit të asaj marrëveshje Hoxhaj e Bushati atë kohë ministra, kishin mbajtur një konferencë për medie, gjatë të cilës kishin shprehur vullnetin e dyanshëm për fuqizimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. 

Ish-ministri Hoxhaj kishte thënë se  vizita e Bushatit në Prishtinë  ishte një rikonfirmim i agjendës bilaterale ndërmjet dy shteteve, dhe kishte  falënderuar Bushatin për angazhimin e fuqishëm në mbështetje edhe në rrafshin multilateral të Kosovës.

“Kjo mbështetje ka të bëj me njohjet, me anëtarësimin e Kosovës në organizatat  të ndryshime rajonale, evropiane dhe globale, por ka të bëj edhe me agjendën evropiane të Republikës së Kosovës dhe të gjitha çështjet të cilat janë pjesë e asaj se çka definohet si politikë e jashtme”, kishte deklaruar atë botë Hoxhaj. 

Ndërkaq, ish-ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, kishte veçuar bashkëpunimin bilateral, duke iu referuar mbledhjes së Prizrenit dhe nënshkrimit të dokumentit për partneritetin strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. 

“Është një formë bashkëpunimi në mes të Shqipërisë dhe Kosovës që është strategjike për ne, është stabilizuese për rajonin dhe orientuese për të ardhmen tonë evropiane dhe euroatlantike dhe është në frymën e projektimit të faktorit shqiptar në gjithë pozitivitetin e tij të mundshëm për të avancuar rajonin drejt rrjedhave euroatlantike”, kishte deklaruar Bushati.

(Kosova Sot Online )