Dalin faktet dhe dëshmitë për shkatërrimin e PTK-së nga Z-Mobile, drejtësia ende në ‘gjumë’

  • 03 July 2019 - 12:10
Dalin faktet dhe dëshmitë për shkatërrimin e PTK-së nga Z-Mobile, drejtësia ende në ‘gjumë’

“Kjo heshtje e prokurorisë kosovare e ka vetëm një shpjegim; janë të kapur e të ngulfatur nga mafio-politika dhe nëntoka kriminale, së fundmi edhe të shantazhuar me paga super të larta (më të lartat në rajon), ndryshe prokuroria e shtetit nuk do mund të qëndronte në rolin e vëzhguesit kureshtar, pa e ndërmarr asnjë veprim të vetëm kundrejt shkatërrimit sistematik të asetit më fitimprurës në vend”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Raportimi i Agron Mustafës, ish kryeshef i Telekomit para komisionit hetimor për situatën në Telekomin e Kosovës, është parë nga analistët politikë si një momenti i ri i cili ka thelluar zbardhje e akteve kriminale për shkatërrimin e Telekomit, duke dhënë argumente besnike nga dora e parë për të gjitha rrjedhat e abuzimit me kontratën me Z- Mobile, madje edhe prej vetë drejtuesve të këtij gjiganti. Mirëpo, sipas analistëve, fatkeqësia e madhe është pse prokuroria akoma po vazhdon heshtjen.

Analisti, Florim Zeqa tha për “Kosova Sot Online” se është rrëqethës rrëfimi i Agron Mustafës, por më rrëqethëse është heshtja e prokurorisë që në këtë të vërtetë kriminale është krim i dyfishtë. 

Image
Florim Zeqa

“E vërteta vonon por nuk harron, e thotë një proverbë popullore. Edhe pse me vonesë të madhe, ish drejtuesi i PTK-së z. Agron Mustafa është duke i nxjerr në shesh një nga një aktet e shkatërrimit kriminal të PTK-së. Vërtetë është rrëqethës rrëfimi i Agron Mustafës sipas të cilit ‘më 26 korrik 2013 në mbledhjen e radhës së bordit të drejtorëve krye shefi i thotë bordit që ARKEP-it ka vendos që 1000 numra shtesë t’ia jap Z-Mobil, mirëpo kulminacioni skandaloz arrin më datën 27 dhjetor 2013, kur krye shefi i atëhershëm njofton bordin që Z-Mobile i kërkon edhe 100 mijë numra shtesë, kurse më 27.12.2013 Telekomi i dërgon një letër Z-Mobile ku i thotë që ky i fundit mund ti ketë në dispozicion 200 mijë numra’”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas analistit Zeqa, është krejtësisht e pa arsyeshme sjellja heshtake e prokurorisë, përderisa vazhdojnë të zbulohen aktet e shkatërrimit kriminal të PTK-së nga Z-Mobile prej vetë drejtuesve të këtij gjiganti, dhe kjo bënë për të pyetur se a kemi fare apo nuk kemi prokurori. 

“Shtrohet pyetja, vallë nëse edhe ky skandal nuk i bën përshtypje prokurorisë së shtetit, atëherë çfarë po u dashka të ndodhë në PTK që të këndellet Prokuroria Speciale dhe mekanizmat e tjerë përcjellës, si policia hetimore, gjykatat, etj. Prokurorisë nuk i bën përshtypje as punësimet e fundit partiake, nepotike e klanore të njerëzve më të fuqishëm të shtetit në PTK. Madje prokurorisë nuk i bëri përshtypje as akuza e Agron Mustafës për njërën nga figurat politike që ishte përfitues i qindra mijëra eurove nga aferat korruptive. Kjo heshtje e prokurorisë kosovare e ka vetëm një shpjegim; janë të kapur e të ngulfatur nga mafio-politika dhe nëntoka kriminale, së fundmi edhe të shantazhuar me paga super të larta (më të lartat në rajon), ndryshe prokuroria e shtetit nuk do mund të qëndronte në rolin e vëzhguesit kureshtar, pa e ndërmarr asnjë veprim të vetëm kundrejt shkatërrimit sistematik të asetit më fitimprurës në vend”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)