Spanjolli që zëvendëson Mogherinin është kundërshtar i idesë për shkëmbim të territoreve

  • 03 July 2019 - 15:24
Spanjolli që zëvendëson Mogherinin është kundërshtar i idesë për shkëmbim të territoreve

Ministri i Punëve të Jashtme të Spanjës, Josep Borell, pritet që të jetë shefi i ri i diplomacisë së Bashkimit Evropian. Në këtë pozitë ai do ta pasojë italianen Federica Mogherini, e cila për një kohë të gjatë ka mbajtur postin e kryenegociatores në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Fakti që Borell vjen nga një shtet që nuk e njeh Kosovën po shihet si mjaft problematik për Kosovën, megjithatë ka diçka jashtëzakonisht pozitive nga diplomati spanjoll. Ai është kundër idesë së korrigjimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Këtë ai e kishte thënë gjatë një takimi joformal që kishin pasur ministrat e jashtëm të vendeve anëtare në Vjenë të Austrisë në fund të gushtit 2018.

Ai kishte treguar se në atë takim kishte theksuar refuzimin e fortë të vendeve evropiane për një zgjidhje finale ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që do të kalonte përmes idesë së shkëmbimit të territoreve apo korrigjimit të kufijve.

“Ka pasur shumë ngurrim për një marrëveshje që mund të bazohet në kufij etnik të shteteve”, kishte thënë Borell, shkruan eldiario.es.

Teksa kishte komentuar idenë e shkëmbimeve të territoreve, ku parashihej që Kosova të jepte komunat veriore të banuar nga serbët, në këmbim të Luginës së Preshevës, Borell kishte deklaruar se Evropa nuk është ndërtuar në frymën e shteteve etnikisht të pastra, por për shtete të cilat jetojnë së bashku shumë nacionalitete.

“Evropa nuk është ndërtuar mbi parime një etnike homogjene, në suaza të kulturës dhe kombësise. Ajo është ndërtuar për të ndihmuar të jetojnë së bashku njerëz të etnive të ndryshme”, kishte theksuar Borell.

Ai kishte treguar se nuk ka kurrfarë simpatie për idenë e korrigjimit të kufijve.

“Fakti që po flitet për të ripërcaktuar kufijtë, nuk ka ngjallur ndonjë simpati” kishte shtuar ai.

Ndër të tjera Borell kishte thënë se një marrëveshje e mundshme ndërmjet Kosovës deh Serbisë do të lehtësonte vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, siç është rasti për Spanjën, për të marrë një vendim përfundimtar.

‘Ne nuk mund të jemi më katolikë se Papa’, kishte thënë ai.

Përveç kësaj ai ka thënë se Spanja nuk do të paraqesë asnjëherë pengesë për arritjen e një marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duke shtuar se Kosova dhe Serbia nuk mund të jenë të ndara në baza etnike dhe fetare sikurse India me Pakistanin.

“Ne nuk do të paraqesim ndonjë pengesë. Serbia dhe Kosova nuk mund të jenë India dhe Pakistani, dy vende që u ndanë në atë kohë në nënkontinentin indian sipas kritereve fetare dhe etnike”, kishte theksuar Borell.

(Kosova Sot Online)