Engel takon Kandiçin në Beograd, kërkon drejtësi për viktimat e luftës në Kosovë

  • 03 July 2019 - 17:40
Engel takon Kandiçin në Beograd, kërkon drejtësi për viktimat e luftës në Kosovë

Miku i shqiptarëve, kongresmeni amerikan, Eliot Engel, ka qëndruar sot për një vizitë në Beograd ku ka takuar krerët e shtetit serb.

Engel gjatë qëndrimit në kryeqytetin serb ka takuar edhe drejtoreshën e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, me të cilën ka diskutuar për viktimat e luftës së Kosovës duke kërkuar zbardhjen e fatit të tyre dhe vendosjen e drejtësisë.

Njoftimin për takimin e ka dhënë Ambasada e SHBA-së në Beograd, ku potencohet se Engel dhe Kandiq kanë diskutuar për mungesën e përparimit në vendosjen e drejtësisë për viktimat e luftës në Kosovës.

“Engel në takim me drejtoreshën e HLC, Natasa Kandic. Ata kanë theksuar mungesën e përparimit në kërkimin e drejtësisë për viktimat e krimeve të luftës. Drejtësia jo vetëm që do të mbyllte këtë temë të dhimbshme për familjet e viktimave, por gjithashtu do të vendoste edhe bazat për pajtim” thuhet në njoftimin e ambasadës.

Engel sot gjatë ditës ka takuar edhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, me të cilin kanë diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi dhe për rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi.

 “Engel është një nga avokatët më të shquar të pavarësisë së Kosovës. Ne folëm rreth asaj se sa e rëndësishme është të vazhdojmë bisedimet dhe dialogun dhe se kjo është e rëndësishme për marrëdhëniet e mira serbo-shqiptare dhe stabilitetin e rajonit. Shpresoj se mesazhet e tij në Prishtinë do të kontribuojnë në përshpejtimin e krijimit të kushteve për vazhdimin e dialogut”, kishte deklaruar Vuçiq pas takimit.

(Kosova Sot Online)