Nga Amerika vjen akuza e rëndë për Thaçin: Po e ndihmojnë Veseli dhe Limaj, ky është synimi i tij

  • 04 July 2019 - 07:59
Nga Amerika vjen akuza e rëndë për Thaçin: Po e ndihmojnë Veseli dhe Limaj, ky është synimi i tij

“Thaçi ka anashkaluar gjithmonë çështjen shqiptare në Kosovën Lindore, në të gjitha rangjet e bisedimeve me Serbinë. Vetëm tash së fundi, kur u shterën aventurat e tij anti shqiptare, kur erdhi në fund të jetës së tij politike, ndezi aventurat e shqiptarisë”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar rezolutë Kuvendit për bashkimin e Luginës me Kosovën. E këtë veprim të Thaçit, analisti politik që jeton dhe vepron në SHBA, Ramiz Bojaj e ka quajtur një lojë dhe një aventurë të rrezikshme me kombin.

“Të gjitha taktizimet, metodat e veprimet e presidentit Hashim Thaçi me nismat e tij për “Shqipërisë etnike”, “bashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën”, integrimin e vendit në BE e OKB, draft-rezoluta e fundit që obligon të respektojnë vullnetin politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën, të shprehur me Referendum të vitit 1992 si dhe me Luftën e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc janë gënjeshtra publike për të njëjtin plan të “kurdisur” me homologun serb Aleksandër Vuqiqin për ndarjen e Kosovës”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Image
Ramiz Bojaj

Sipas Bojajt, Thaçi duke kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të mbështesin draft-rezolutën për kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, vazhdon aventurën e tij si mjet për të fshehur panikun e tij.

“Ndaljen e gjahut për akuzat nga më të ndryshmet, sepse ndryshe, çështja shqiptare duhet koordinuar e studiuar mjaft mirë, duhet pjekuri e maturi, besim e bindje tek aleatët tanë ndërkombëtarë. Thaçi ka anashkaluar gjithmonë çështjen shqiptare në Kosovën Lindore, në të gjitha rangjet e bisedimeve me Serbinë. Vetëm tash së fundi, kur u shterën aventurat e tij anti shqiptare, kur erdhi në fund të jetës së tij politike, ndezi aventurat e shqiptarisë. Ky veprim në panik i Hashim Thaçit, është vetëm lojë nervash me miqtë tanë ndërkombëtarë, aventurë djallëzore me çështjen shqiptare, veçmas me të drejtat e bashkëkombësve tanë në Serbinë fqinjë, por është edhe thikë pas shpine sovranitetit territorial të Republikës së Kosovës”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Madje ai thotë se Thaçi ende e ka të hapur planin serb për ndarjen e Kosovës, i cili bashkë me Vuqiqin, stimulojnë plane e projekte pasigurie në veri, pastaj kriza politike, sociale, aventura policore etj, por që përkojnë me interesat e Serbisë.

Poashtu, Bojaj e konsideron se këtij plani po i ndihmojnë edhe ortakët e shantazhuar të presidentit, siç janë Fatmir Limaj e Kadri Veseli&Co. 

“Propozimi i NISMA-s për krijimin e një ministrie për Luginën, është degëzim i planit të Thaçit, i cili tashmë ka vë në funksion gjithë mekanizmat e vet për shkatërrimin e shtetit të Kosovës. I pari i vendit po e përdor Kuvendin e Kosovës për plotësimin e aventurave të tij personale”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”.

“Krimi më i madh që fshihet pas kësaj rezolute është projekti i zhbërjes së Kosovës, filli i të cilit është kontestimi i kufijve të Republikës sonë, kontestimi i sovranitetit shtetëror, tërësisë territoriale, por edhe krijimi i kontestit ndërkombëtar për shtetin e Kosovës sepse njeriu i cili ka dështuar të bashkojë një qytetet, ose më saktë e ka ndarë atë, nuk mund të bashkojë një komb”, përfundoi Bojaj për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)