Daçiq reagon pas vendimit për t’ua ndaluar hyrjen në Kosovë të gjithë zyrtarëve serbë

  • 04 July 2019 - 13:11
Daçiq reagon pas vendimit për t’ua ndaluar hyrjen në Kosovë të gjithë zyrtarëve serbë

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka reaguar ashpër pas vendimit të fundit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës për t’ua ndaluar hyrjen në Kosovë të gjithë zyrtarëve të Serbisë.

Sipas tij ky është një vendim i cili synon të bëjë një shkëputje të plotë ndërmjet serbëve që jetojnë në Kosovë dhe shtetit të Serbisë, dhe e sheh si një përpjekje për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”.

Sipas Daçiqit një vendim i tillë nuk është i rastësishëm, pasi që vjen vetëm dy ditë pasi Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar një marrëveshje për të pasur një politikë të jashtme të përbashkët. 

“E gjithë kjo është bërë vetëm dy ditë pas nënshkrimit të një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, me të cilën të dy palët do të kenë një politikë të jashtme të përbashkët. Kjo marrëveshje është një themel për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, që po ndërtohet pa problem në zemrën  e Evropës”, ka thënë Daçiq për Novosti.

Daçiq thotë se shqiptarët nuk po shqetësohen fare që ‘serbët në veri kanë mbetur pa barna dhe pa bukë’.

“Ky ndalim, ka për qëllim që t’i mbajë ata (serbët) edhe më të izoluar nga çdo ndikim i Beogradit”, ka thënë ndër të tjera Daçiq.

(Kosova Sot Online)